Çmimet e prodhimit në Kosovë janë rritur për 1.2 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin paraprak, ndërsa në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, rritja ka arritur në 5.9 për qind.
Kështu bëhet e ditur në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për Indeksin e Çmimeve të Prodhimit (IÇP) për tremujorin e tretë të vitit 2026.
Sipas ASK-së, krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti, ngritjet më të mëdha të çmimeve janë regjistruar te prodhimi tjetër p.k.t., me 14.8 për qind, dhe nxjerrja e xehes së metalit, me 11.3 për qind.
Rritje është shënuar edhe te energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar, me 4.9 për qind, prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkurës, me 2.5 për qind, si dhe përpunimi i produkteve ushqimore, me 1 për qind.
Në anën tjetër, rënia më e madhe e çmimeve në këtë periudhë është regjistruar te prodhimi i mjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove, me 3.7 për qind. Ulje është vërejtur edhe te prodhimi i metaleve, me 1 për qind, prodhimi i produkteve minerale jometalike dhe xeherorët e guroret e tjera, me nga 0.9 për qind.
Ndërkaq, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2025, çmimet e prodhimit në Kosovë janë rritur mesatarisht për 5.9 për qind.
Sipas raportit të ASK-së, rritja më e madhe vjetore është regjistruar te grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë, me 32.2 për qind. Pasojnë prodhimi tjetër p.k.t., me 26.1 për qind, prodhimi i pijeve, me 20.1 për qind, prodhimi i letrës dhe produkteve prej saj, me 15.5 për qind, si dhe nxjerrja e xehes së metalit, me 11.4 për qind.
Rritje të çmimeve janë regjistruar edhe në sektorin e energjisë elektrike, gazit, avullit dhe furnizimit me ajër të kondicionuar, me 7.3 për qind, prodhimin e produkteve të gomës dhe plastikës, me 4.4 për qind, si dhe përpunimin e produkteve ushqimore, me 4.2 për qind.
Ndërsa, ulja më e madhe vjetore e çmimeve është shënuar te prodhimi i veshjeve, me 6 për qind, prodhimi i mjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove, me 3.6 për qind, si dhe prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, me 1.5 për qind.
ASK publikon Indeksin e Çmimeve të Prodhimit për të matur ndryshimet në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të prodhuara në Kosovë.
