Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e Ergys Agasit, si dhe të ish-efektivit, Ulian Shpatarakut.

SPAK sqaron se Agasi është nën hetim që prej vitit 2025, e ndaj tij rëndojnë dyshime për një sërë veprash penale, mes tyre konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, grup i strukturuar kriminal, pastrim i produkteve të veprës penale dhe korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

“Pas një pune disa javore në bashkëpunim të ngushtë me strukturat operacionale të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, sot më datë 26.8.2026, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Ergys Agasi, në hyrjen jugore qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit ky shtetas shoqërohej nga shtetasi, U. Sh, ish punonjës policie, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Reklamë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon hetimet për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025, për të cilin, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit Ergys Agasi. Ky shtetas po hetohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal“, njofton SPAK.

Për Agasin, Gjykata e Posaçme kishte caktuar që më 15 dhjetor 2025 masën e sigurisë “arrest në burg”. Vendimi ishte dërguar për ekzekutim pranë Policisë së Shtetit më 17 dhjetor 2025, ndërsa arrestimi u realizua sot.

“Ndaj personit nën hetim dhe konkretisht shtetasit Ergys Agasi, me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Pare Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për tu ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për kryerjen me sukses të operacionit“, përfundon SPAK.

Sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për dyshime mbi përfshirjen e Agasit në skema të përfitimit të paligjshëm, në bashkëpunim me persona të tjerë dhe zyrtarë shtetërorë.

Reklamë

Hetimet kanë ngritur dyshime edhe për tendera fiktivë dhe procedura të manipuluara, përmes të cilave dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme fonde publike. SPAK ka vijuar hetimet për të dokumentuar rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe mënyrën se si janë realizuar këto procedura.

Arrestimi i Agasit në Durrës shënon një zhvillim të rëndësishëm në këtë dosje hetimore. Ai pritet të përballet me masat e sigurisë dhe procedurat e mëtejshme gjyqësore, ndërsa hetimet e SPAK për këtë çështje vijojnë.