Disa institucione në qytete të ndryshme të Shqipërisë kanë marrë mëngjesin e sotëm e-maile me përmbajtje kërcënuese, ku pretendohej se në ambientet e tyre ishte vendosur bombë.

Sipas Policisë së Shtetit, mesazhet janë dërguar nga një adresë elektronike ende e paidentifikuar dhe përmbajnë kërcënime me natyrë terroriste.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, strukturat e Policisë së Shtetit kanë nisur verifikimet në institucionet e përfshira. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk është konstatuar prania e bombave apo e ndonjë lënde tjetër shpërthyese.

Reklamë

Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, po punojnë për identifikimin e autorit dhe gjurmimin e adresës elektronike nga e cila janë dërguar kërcënimet.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, duke theksuar se aktualisht nuk ka vend për panik.

Strukturat policore, sipas njoftimit, vijojnë të jenë të angazhuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për zbardhjen e plotë të rastit.