Në Nepal po vijojnë me intensitet kërkimet për gjetjen e trupave të tjerë të mbuluar nën baltën që fshiu nga harta fshatra të tërë të mërkurën, pas thërrmimit të akullnajave në Himalaje. Viktimat kanë arritur në mbi 900, ndërsa mbi 5 mijë persona janë të zhdukur.
Ekipet e emergjencës në Nepal po kërkojnë mes baltës nëpër tunele për të paktën 933 punonjës të hidrocentraleve, të cilët mbetën të bllokuar pas katastrofës apokaliptike të së mërkurës së kaluar në Himalaje. Përmbytja shkatërruese e shkaktuar nga shembja e një akullnaje solli një rrëshqitje masive masash akulli, gurësh e balte, duke fshirë nga harta fshatra të tërë në kufirin mes Nepalit dhe Kinës.
Bilanci i viktimave ka arritur zyrtarisht në mbi 900 të vdekur, ndërsa afërsisht 5,000 persona rezultojnë ende të zhdukur në të dyja anët e kufirit. Qindra trupa që po nxirren nga balta po varrosen me shpejtësi në varre masive për të parandaluar përhapjen e epidemive, por paraprakisht atyre u merren të dhënat e ADN-së për identifikim.
Për përballimin e situatës, në Nepal janë angazhuar pothuajse 21,000 pjesëtarë të personelit të sigurisë dhe ushtrisë, të cilët po përdorin mjete të rënda dhe shpërthime të kontrolluara për të hapur hyrjet e bllokuara të tuneleve.
Katastrofa ka nxitur edhe përplasje diplomatike. Ndërsa Kina fajëson ngrohjen globale dhe thërrmimin e akullnajave për tragjedinë, zyrtarët nepalezë shprehin shqetësimin se Pekini nuk po ndan të dhëna të mjaftueshme hidrologjike mbi rrezikun e formimit të liqeneve të reja në male, çka po pengon përgatitjen ndaj përmbytjeve të mëtejshme.