OpenAI thotë se ka arritur të zgjidhë brenda pak orësh një problem të avancuar matematikor që ka mbetur i pazgjidhur për dekada, duke përdorur një model të ri të inteligjencës artificiale (AI) dhe mijëra agjentë të AI-së.
Krijuesi i ChatGPT-së tha të martën se, duke vënë në punë rreth 10 mijë agjentë të AI-së – programe që mund të kryejnë detyra në mënyrë pjesërisht autonome – arriti të zgjidhë një problem jashtëzakonisht të vështirë matematikor në vetëm 88 orë.
Problemi lidhet me ekuacionet e Navier-Stokes, të cilat përshkruajnë mënyrën se si lëvizin lëngjet. Për rreth 90 vjet, pjesë të rëndësishme të këtij problemi kanë mbetur pa një dëshmi matematikore.
OpenAI e cilësoi zgjidhjen si një “arritje të rëndësishme” dhe si dëshmi se mjetet e inteligjencës artificiale po përparojnë me shpejtësi.
Megjithatë, zgjidhja e OpenAI-së ende nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur dhe nuk është pranuar zyrtarisht nga Instituti i Matematikës Clay, organizata me bazë në SHBA që administron Çmimin e Mijëvjeçarit. Ky çmim ofron 1 milion dollarë për personin që arrin të zgjidhë disa prej problemeve më të mëdha të matematikës.
Kompania tha se në fund të gushtit kishte nisur të trajnonte një model të ri, i cili shumë shpejt tregoi aftësi të jashtëzakonshme në matematikë. Modelet e AI-së janë programe kompjuterike të trajnuara me sasi të mëdha të dhënash për të identifikuar dhe parashikuar modele në informacion.
Modeli i ri i OpenAI-së ende përdoret vetëm brenda kompanisë dhe, sipas saj, është “dukshëm më i aftë” se modeli më i fundit i publikuar. Për këtë arsye, studiuesit vendosën ta përdorin për të trajtuar disa prej problemeve më të njohura të matematikës së avancuar.
OpenAI tha se më 1 shtator kishte dëgjuar “thashetheme se dy probleme të Çmimit të Mijëvjeçarit ishin zgjidhur” dhe vendosi të angazhonte mijëra agjentë të AI-së, të trajnuar me modelin e ri, për të tentuar zgjidhjen e disa prej problemeve që ende kanë mbetur të pazgjidhura.
Deri më 5 shtator, rreth 88 orë pasi kishte nisur punën me 10 mijë agjentë të AI-së, OpenAI tha se kishte gjetur një zgjidhje për problemin e ekzistencës dhe rregullsisë së Navier-Stokes.
Ky problem është në qendër të studimit të turbulencës, një fenomen që ende nuk është kuptuar plotësisht nga shkencëtarët.
Edhe pse agjentëve të AI-së iu deshën vetëm pak ditë për të arritur te zgjidhja, OpenAI tha se ata shkëmbyen rreth 3 milionë mesazhe dhe përdorën 130 miliardë tokenë – njësitë e tekstit dhe kodit që prodhon një model i AI-së – vetëm për problemin Navier-Stokes.
Sipas çmimeve të publikuara nga vetë OpenAI për modelet e saj më të avancuara, një përpjekje e tillë do të kushtonte rreth 10 milionë dollarë (7.3 milionë paund).
OpenAI thotë se zgjidhja e arritur për problemin e ekzistencës dhe rregullsisë së Navier-Stokes trajton dy nga katër pohimet që duhet të vërtetohen për të zgjidhur problemin sipas kritereve të Çmimit të Mijëvjeçarit. Shpërblimi për zgjidhjen e plotë është 1 milion dollarë.
“Qëllimi ynë me publikimin e këtij rezultati është të tregojmë përparimin e madh të modeleve tona të AI-së”, tha OpenAI të martën. “Nuk synojmë të pretendojmë Çmimin e Mijëvjeçarit për këtë rezultat.”
Megjithatë, pretendimi i kompanisë ka shkaktuar tashmë polemika.
Tristan Buckmaster, profesor i matematikës në Universitetin e Nju Jorkut, tha të martën se ai dhe Levent Alpöge, matematikan që punon për rivalin e OpenAI-së, Anthropic, kishin qenë gjithashtu duke punuar për zgjidhjen e këtij problemi.
Dy matematikanët kishin përdorur mjetin Codex të OpenAI-së gjatë punës së tyre. Por Buckmaster tha se më 3 shtator kishte mësuar se “informacioni rreth përparimit tonë i ishte përcjellë OpenAI-së”.
Deklarata e Buckmasterit u publikua po atë ditë, disa orë përpara se OpenAI të publikonte punën e saj mbi Navier-Stokes. Ai pretendoi se OpenAI nuk kishte nisur të punonte mbi ekuacionet Navier-Stokes deri “pasi informacioni për punën tonë kishte mbërritur te OpenAI”.
Ai publikoi gjithashtu pjesë të emaileve të shkëmbyera me OpenAI lidhur me këtë çështje, si dhe pyetjet e tij mbi kohën dhe mënyrën se si kompania kishte zhvilluar punën.
Buckmaster tha se ende nuk e kishte lexuar vërtetimin e plotë të OpenAI-së, por se ishte ndier i detyruar të fliste publikisht për “atë që më ishte thënë, kur më ishte thënë dhe çfarë më ishte propozuar… sepse alternativa do të ishte të lejoja që një varg njoftimesh të krijonte një përshtypje që unë e di se është e pavërtetë”.
OpenAI, të martën, përgëzoi “punën paralele” të Buckmasterit dhe Alpöges, duke e cilësuar atë si “të jashtëzakonshme”.
Kompania tha se nuk kishte parë “asnjë pjesë të punës së tyre përmes ndonjë burimi” deri në momentin kur ajo u publikua dhe se gjatë punës për problemin Navier-Stokes nuk ishte qasur në asnjë të dhënë të përdoruesve.
“Edhe pse kjo duket e pamundur, nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që të dhëna të anonimizuara të krijuara nga përdorimi i produkteve tona prej tyre të kenë ndihmuar në përmirësimin e modeleve tona”, shtoi kompania. “Megjithatë, vërtetimet tona janë dukshëm të ndryshme dhe edhe rezultatet konkrete që janë vërtetuar ndryshojnë.”/Reporteri.net/