×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Norvegjia përcjell me nderime Mbretin Harald

    Reporteri
    09 Shtator 2026 | 23:04

    Oslo i dha lamtumirën e fundit Mbretit Harald V, në një ceremoni madhështore ku morën pjesë dhjetëra anëtarë të familjeve mbretërore, krerë shtetesh dhe personalitete nga e gjithë bota.

    Mijëra qytetarë u rreshtuan përgjatë rrugës nga Pallati Mbretëror drejt Katedrales së Oslos, ku u zhvillua ceremonia mortore për monarkun norvegjez, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, pas 35 vitesh në fron.

    Arkivoli i mbretit u shoqërua në këmbë nga pasardhësi i tij, Mbreti Haakon VIII, së bashku me fëmijët dhe motrën e tij.

    Në ceremoni morën pjesë rreth 30 përfaqësues të familjeve mbretërore nga vende të ndryshme, mes tyre Suedia, Danimarka, Belgjika, Spanja, Jordania, Monako dhe Japonia. I pranishëm ishte edhe Princi William, i cili përfaqësoi babain e tij, Mbretin Charles III.

    Krahas familjeve mbretërore, në Oslo mbërritën edhe krerë shtetesh dhe qeverish, mes tyre Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, Presidenti gjerman, ndërsa nga Shqipëria i pranishëm ishte, për të nderuar monarkun, Presidenti Bajram Begaj.

    Pas ceremonisë, arkivoli i Mbretit Harald u transportua drejt Kapelës së Pallatit, ku u zhvillua një ceremoni private me pjesëmarrjen e familjes mbretërore dhe të ftuarve.
    Harald V u varros pranë anëtarëve të tjerë të familjes mbretërore norvegjeze.

    Me përfundimin e varrimit, flamujt norvegjezë në Oslo u valvitën sërish, duke shënuar fundin e periudhës së zisë kombëtare.

    Më pas, familja mbretërore u shfaq në ballkonin e Pallatit Mbretëror për të falënderuar qytetarët për mbështetjen e tyre. Mbreti i ri Haakon, Mbretëresha Mette-Marit, Mbretëresha Sonja dhe fëmijët e çiftit përshëndetën dhjetëra mijëra njerëz të mbledhur në shesh.

    Në përfundim të ceremonisë, katër avionë luftarakë F-35 fluturuan mbi Katedralen e Oslos në nderim të Mbretit Harald V.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!