×
  • Lajme
  • Extra
  • Raporto
  • Botë

    Burrit i gjendet koka e krokodilit brenda valixhes në aeroport, rrezikon burg ose deri në 200 mijë euro gjobë

    Reporteri
    10 Shtator 2026 | 11:24

    Një burrë italian, i cili kishte mbërritur në Torino nga Miami përmes Stambollit, është nën hetim për kontrabandë dhe rrezikon gjobë ose burg, pasi në bagazhin e tij në aeroportin Caselle të Torinos u gjet koka e tharë e një krokodili, që konsiderohet në zhdukje.

    Koka e reptilit ishte mbështjellë me letër paketimi kafe në një përpjekje për ta fshehur nga kontrollet e sigurisë dhe dogana, njoftoi Policia e Torinos, përcjell Reporteri.net raportimin e “The Guardian”.

    Ajo u sekuestrua menjëherë nga autoritetet kufitare, ndërsa pasagjeri, i cili raportohet se po kthehej nga pushimet, u vu nën hetim për akuzat e kontrabandimit të një specie që konsiderohet e mbrojtur nga rreziku për zhdukje.

    Krokodilët janë të mbrojtur sipas Konventës së Uashingtonit, një marrëveshjeje globale të nënshkruar në vitin 1973 për të mbrojtur bimët dhe kafshët nga rreziku i tregtisë ndërkombëtare.

    Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon një gjobë prej 20.000 deri në 200.000 eurosh, ose një dënim me burg nga gjashtë muaj deri në një vit.

    Policia italiane tha se operacioni në Torino ishte pjesë e një fushate më të gjerë në Itali kundër tregtisë së paligjshme të kafshëve të egra. “Artikulli u sekuestrua sepse ishte importuar pa certifikatën ose licencën e kërkuar,” tha policia, përcjell Reporteri.net.

    Italia është një nyje kryesore tranziti për tregtinë e paligjshme të kafshëve ekzotike, shumica e të cilave rrjedhin nga krimi i organizuar. Në një raport të botuar më herët këtë vit, dega italiane e WWF-së tha se kafshë si “breshka, zogj dekorativë, zvarranikë tropikalë dhe madje primatë të vegjël janë të paligjshëm”

    Megjithatë, artikuj si kokat e thata të krokodilëve herë pas here blihen si suvenire nga turistët që nuk e dinë se është e paligjshme t’i sjellin në shtëpi. Një burrë kanadez u arrestua vitin e kaluar në aeroportin e Delhi-së pasi në bagazhin e tij u gjet koka e një krokodili, e blerë në Tajlandë.

    Perktheu: Blerdiel Kajdomqaj, Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!