×
  • Sport
  • Raporto
  • Sport

    Barcelona ndryshon marrëveshjen për Anthony Gordon pas debutimit të tij mbresëlënës në Champions

    Reporteri
    10 Shtator 2026 | 18:09

    Barcelona raportohet se ka shtyrë një nga pagesat për transferimin e Anthony Gordon, në një kohë kur sulmuesi anglez po shkëlqen që në fillim të aventurës së tij te klubi katalanas.

    Gordon ka bërë një start fantastik me fanellën e Barcelonës, duke regjistruar pesë asistime në pesë ndeshjet e para pas transferimit të tij prej 69 milionë funtesh nga Newcastle United.

    Reprezentuesi anglez debutoi në Ligën e Kampionëve me Barcelonën në fitoren bindëse 5-1 ndaj Feyenoordit në “Camp Nou”.
    Ai u aktivizua nga banka në minutën e 63-të, duke zëvendësuar Karim Adeyemin, në një moment kur Barcelona po udhëhiqte 3-1.

    Adeyemi dhe Raphinha kishin gjetur rrugën drejt rrjetës, ndërsa më pas Lamine Yamal dhe transferimi i ri Gabriel Jesus kompletuar fitoren e thellë të katalanasve.

    Gordon po justifikon investimin e Barcelonës

    Transferimi i Gordon, i cili erdhi në një periudhë kur Marcus Rashford u largua nga skuadra, po konsiderohet tashmë një lëvizje shumë e mirë nga drejtuesit e Barcelonës.

    Tifozët katalanas gjithashtu e kanë mirëpritur menjëherë anglezin, por jashtë fushës klubi ka bërë ndryshime në mënyrën e pagesës së transferimit.

    Sipas “El Desmarque”, Barcelona ka ristrukturuar marrëveshjen financiare me Newcastle United.

    Fillimisht ishte parashikuar që katalanasit të paguanin 18.88 milionë funte si këst të parë dhe më pas pjesën e mbetur të shumës.

    Megjithatë, raportohet se palët kanë rënë dakord që pagesa e parë afatshkurtër të shtyhet deri në qershor të vitit 2027, një vit më vonë nga afati i planifikuar fillimisht.

    Vendimi besohet se lidhet me përpjekjet e Barcelonës për të menaxhuar më mirë situatën financiare dhe detyrimet e klubit.

    Raportohet se Barcelona ka rreth 77.3 milionë funte detyrime të lidhura me transferimet e reja.

    Përveç Gordonit, klubi kishte paguar gjithashtu 51.5 milionë funte për transferimin e Rodrit nga Manchester City dhe 18.9 milionë funte për Karim Adeyemin.

    Eksperti i financave në futboll, Kieran Maguire, komentoi situatën duke sqaruar se momenti kur regjistrohet fitimi nga një transferim nuk lidhet domosdoshmërisht me datën kur kryhet pagesa.

    “Është data e transferimit të regjistrimit të Gordonit ajo që përcakton se kur regjistrohet fitimi, jo data kur paguhen apo nuk paguhen paratë”, shkroi Maguire në platformën X.

    Gordon po përjeton diçka “jo normale” në Barcelonë

    Anthony Gordon është bërë futbollisti i 13-të anglez që luan për Barcelonën dhe që në javët e para ka krijuar një lidhje të veçantë me tifozët.

    Ai ndjek gjurmët e emrave si Gary Lineker dhe Marcus Rashford, por pritja që i është bërë nga publiku në “Camp Nou” ka qenë e jashtëzakonshme.

    Kur Gordon u aktivizua ndaj Feyenoordit, tifozët nisën të këndonin emrin e ish-futbollistit të Evertonit.

    E njëjta këngë ishte dëgjuar edhe gjatë një ndërprerjeje në fitoren 5-2 ndaj Rayo Vallecanos, ndërsa Gordon reagoi duke prekur stemën e Barcelonës në fanellë, gjest që u prit me entuziazëm nga tifozët.

    Sipas gazetarit Pol Ballus të “The Athletic”, bashkëlojtarët e Gordonit i kanë bërë të qartë anglezit se ajo që po përjeton nuk është diçka e zakonshme në Barcelonë.

    Ata i kanë shpjeguar se të dëgjosh publikun e “Camp Nou” duke kënduar emrin tënd është zakonisht një privilegj që duhet fituar me kohë dhe paraqitje të mëdha.

    Barcelona do të rikthehet në fushë të dielën, kur do të udhëtojë për t’u përballur me Levanten në La Liga.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!