Tërheqja e Bekim Sejdiut nga kandidatura për President të Kosovës ka nxitur reagime të shumta politike, duke nxjerrë në pah edhe një herë dallimet mes partive rreth procesit të zgjedhjes së kreut të shtetit dhe krizës institucionale.

Sejdiu, i cili ishte propozuar si kandidat i përbashkët nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, njoftoi tërheqjen nga gara, duke thënë se nuk kishte mbështetjen e nevojshme parlamentare dhe se procesi ishte devijuar në përplasje të brendshme politike.

Pas këtij vendimi, reagimet u ndanë qartë sipas kampeve politike.

Reklamë

LVV: Marrëveshja u arrit, por u bllokua

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur keqardhje për tërheqjen e Sejdiut, duke këmbëngulur se kandidatura e tij ishte rezultat i një marrëveshjeje me LDK-në dhe se LVV-ja i qëndroi asaj deri në fund.

Sipas LVV-së, dialogu dhe kompromisi kishin prodhuar një kandidat të përbashkët, por procesi u pamundësua nga qëndrimet e një pjese të deputetëve të LDK-së, ndërsa PDK-ja dhe Aleanca, sipas saj, deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit.

“Kosova e pati marrëveshjen dhe kandidatin e përbashkët. E pati mundësinë që çështja e Presidentit të zgjidhej në Kuvend. Por u bllokua, sërish”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Vetëvendosje e ka cilësuar mospjesëmarrjen në proces si më shumë se një dallim politik rreth kandidaturës, duke argumentuar se ajo e pamundësoi vetë procesin kushtetues dhe e afroi vendin me zgjedhje të reja.

Reklamë

Abdixhiku: Sejdiu tregoi dinjitet

Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka vlerësuar Sejdiun për mënyrën se si e përballoi procesin.

Abdixhiku ka thënë se tërheqja e tij, përballë asaj që e cilësoi si “histeri politike”, dëshmon pikërisht karakterin që, sipas tij, do ta bënte Sejdiun zgjedhje të duhur për President.

Ai ka shprehur keqardhje që Kosova nuk arriti ta zgjedhë Presidentin dhe se, në vend të një zgjidhjeje, vendi po përballet me kaos politik, bllokadë dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.

Reklamë

“Kjo është PISA politike e Kosovës. Me rëndësi të rrënojmë çdo përpjekje normale sot! Bllokohemi, ngecim, urrejmë, mbysim karaktere dhe përfundojmë sërish në zgjedhje”, ka shkruar Abdixhiku.

Sipas tij, Sejdiu u bë padrejtësisht shënjestër e sulmeve politike dhe përbaltjes, ndërsa ka vlerësuar gatishmërinë dhe dinjitetin e tij.

Osmani: Humbëm një mundësi për konsensus

Në të njëjtën linjë me vlerësimin për Sejdiun ka reaguar edhe deputetja e LDK-së dhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Reklamë

Ajo ka thënë se Sejdiu meriton falënderim jo vetëm për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit, por edhe për mënyrën se si e përballoi një proces ku, sipas saj, personalja shpesh u vendos mbi institucionalen.

“Humbja jonë më e madhe” është, sipas Osmanit, fakti që Kosova jo vetëm që nuk arriti ta zgjedhë Presidentin, por humbi edhe një mundësi për të dëshmuar se mund të ndërtojë konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet.

Osmani ka vlerësuar se politika dhe zgjedhjet kalojnë, ndërsa mënyra se si një person sillet kur vihet në sprovë mbetet si dëshmi e karakterit.

Gruda: E respektoj Bekim Sejdiun si intelektual, por Kurti atë e zgjodhi sepse e dinte që nuk votohet nga Avdullah Hoti

Reklamë

Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka folur për tërheqjen e Sejdiut nga gara për President, duke thënë se e respekton atë si intelektual, por duke ngritur dyshime për mënyrën se si është propozuar.

Gruda ka deklaruar për T7 se, sipas tij, kandidatura e Sejdiut ishte e destinuar të mos merrte votat e nevojshme.

“Unë e njoh Bekim Sejdiun, por si është propozuar e kam ditur që është votuar për mos me u zgjedh”, ka deklaruar Gruda.

Ai ka pretenduar se kryeministri Albin Kurti e kishte propozuar Sejdiun duke e ditur se deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, nuk do ta votonte.

“Si është e mundur që prej krejt intelektualëve, Kurti e gjen një person që pikërisht Avdullah Hotin e rrëzon nga pozita e kryeministrit”, ka thënë Gruda.