Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vdekjes së ish-deputetes, mjekes dhe aktivistes së njohur, Flora Brovina.

Kurti ka vlerësuar kontributin e gjatë të Brovinës në jetën publike të Kosovës, duke e cilësuar atë si një figurë që la pas një trashëgimi të rëndësishme humanitare, politike dhe shoqërore.

“Një jetë e tërë njerëzore e shkuar nën aktivizëm, u shua sot”, ka shkruar Kurti.

Reklamë

Flora Brovina kishte lindur më 30 shtator 1949 në Skenderaj. Ajo ishte pediatre dhe një prej zërave të njohur në mbrojtje të të drejtave të grave në Kosovë.

Në vitin 1992, ajo themeloi Lidhjen e Gruas Shqiptare, përmes së cilës u angazhua në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe në ofrimin e ndihmës humanitare e mjekësore.

Gjatë luftës në Kosovë, Brovina u arrestua nga policia serbe më 20 prill 1999 dhe u dërgua në burg në Serbi. Ajo u dënua fillimisht me 12 vjet burgim, ndërsa u lirua më 1 nëntor 2000, pas presionit ndërkombëtar dhe 19 muajve të kaluar në burgje.

Për veprimtarinë e saj, Brovina ishte nderuar me një sërë çmimesh dhe mirënjohjesh ndërkombëtare.

Ajo shërbeu si deputete e Kuvendit të Kosovës në gjashtë legjislatura, nga viti 2001 deri më 2019, ndërsa ishte edhe njëra nga nënshkrueset e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Reklamë

Kurti ka shprehur ngushëllime për familjen Brovina, bashkëveprimtarët e saj dhe qytetarët e Kosovës.

“Flora Brovina do të kujtohet nga populli i Kosovës dhe do të njihet nga historia e vendit tonë për angazhimin e saj publik dhe veprën e saj kulturore, humanitare, aktiviste dhe politike”, ka shkruar ai.