Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, duke i akuzuar se me veprimet e tyre kanë shkaktuar dëme lidhur me proceset që kanë të bëjnë me ish-krerët e UÇK-së.

Musliu i bëri këto deklarata gjatë pjesëmarrjes në protestën e sotme në Prishtinë, të organizuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët dy ditë më parë u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ajo tha se PDK-ja i përkrah kërkesat e qytetarëve dhe veteranëve të UÇK-së të paraqitura gjatë protestës.

Reklamë

“Vetë fakti që ne jemi sot këtu në shesh si parti, do të thotë se i përkrahim kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe veteranëve të UÇK-së. Por, si Ganimete Musliu dua të shtoj edhe një kërkesë. Përveç Donika Gërvallës, duhet të japë dorëheqje edhe Dimal Basha, sepse punimet shkencore të Dimal Bashës janë të dëmshme po aq sa janë të dëmshme edhe mbledhja e dosjeve nga Donika Gërvalla”, ka thënë Musliu.

Musliu më pas i është drejtuar edhe deputetit të LDK-së, Anton Quni, duke i bërë thirrje që të largohet nga politika.

Ajo iu referua një deklarate të mëhershme të Qunit, i cili, sipas saj, kishte thënë se do ta linte politikën nëse Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli do të përfundonin në burg.

“Përveç kësaj, dua që sot përmes jush t’i bëj thirrje Anton Qunit të tërhiqet nga politika. Sepse, nëse ju kujtohet, Anton Quni kishte thënë: ‘Kur do të jenë në burg Hashim Thaçi e Kadri Veseli, unë do ta lë politikën’. Andaj, Anton, nëse je veç pak i përgjegjshëm ndaj kësaj që ke thënë, jep dorëheqje nga politika”, tha Musliu.