×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Carsten Breuer

    Gjenerali që shërbeu në Kosovë zgjidhet drejtues i Komitetit Ushtarak të NATO-s

    Reporteri
    20 Shtator 2026 | 10:35

    Shefi i Mbrojtjes së Gjermanisë, gjenerali Carsten Breuer, është zgjedhur si kryetar i ardhshëm i Komitetit Ushtarak të NATO-s, organi më i lartë ushtarak i Aleancës.

    Breuer u zgjodh nga shefat e mbrojtjes të 32 vendeve anëtare të NATO-s gjatë një takimi në Kopenhagë.

    Ai do të marrë detyrën në korrik 2027 dhe do ta mbajë për një mandat 3-vjeçar, duke pasuar admiralin italian Giuseppe Cavo Dragone.

    Në këtë pozicion, Breuer do të jetë këshilltari kryesor ushtarak i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

    Ai do të përcjellë gjithashtu rekomandimet e drejtuesve ushtarakë të vendeve anëtare te udhëheqja politike e Aleancës.

    Emërimi i tij vjen në një periudhë kur NATO po forcon masat e mbrojtjes dhe parandalimit ndaj kërcënimeve të mundshme nga Rusia.

    Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e vlerësoi zgjedhjen e Breuer, duke theksuar përvojën dhe rolin e tij në ristrukturimin e ushtrisë gjermane.

    Breuer iu bashkua ushtrisë gjermane në vitin 1984 dhe gjatë karrierës së tij ka kryer trajnime të avancuara në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara. Ai ka shërbyer gjithashtu në misionet e NATO-s në Kosovë dhe Afganistan.

    Që nga marsi i vitit 2023, Breuer mban postin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bundeswehr-it. Më herët ka drejtuar Komandën Territoriale të Bundeswehr-it dhe ka qenë në krye të shtabit të krizës për pandeminë COVID-19 pranë Kancelarisë Federale gjermane.

    Me marrjen e detyrës në vitin 2027, Breuer do të jetë një nga figurat kryesore ushtarake të NATO-s dhe këshilltari kryesor ushtarak i udhëheqjes politike të Aleancës./tvklan

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!