Të dhënat e llogarisë bankare dhe transaksionet e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dyshohet se janë qasur dhe shpërndarë pa autorizim nga një punonjës i Bankës “Raiffeisen”.

Rasti u bë publik pasi kabineti i Ramës konfirmoi se një zyrtar i kësaj banke kishte pasur qasje në llogarinë e kryetarit pa autorizimin e tij dhe kishte shpërndarë të dhëna personale, përfshirë transaksionet bankare.

Sipas kabinetit të kryetarit, pas ankesës zyrtare të Ramës, banka kishte identifikuar punonjësin përgjegjës dhe e kishte larguar atë nga puna.

Reklamë

Ndërkohë, pas kërkesës për sqarime, edhe vetë Banka “Raiffeisen” ka konfirmuar se ka pranuar ankesën e kryetarit të Prishtinës dhe se e ka trajtuar atë në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullatore.

“Pas hetimit dhe shqyrtimit të rastit, kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi, përfshirë edhe njoftimin e autoriteteve kompetente”, thuhet në përgjigjen e bankës për Gazetën Express.

Banka nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me rastin, duke u thirrur në mbrojtjen e të dhënave personale dhe konfidencialitetin bankar të klientëve.

Nga ana tjetër, kabineti i Ramës ka paralajmëruar se kryetari do të ndjekë rrugë ligjore ndaj bankës dhe punonjësit të dyshuar për qasjen dhe shpërndarjen e paautorizuar të të dhënave bankare.

Sipas tyre, ndaj bankës do të kërkohet përgjegjësi për shkeljen e detyrimeve për ruajtjen e konfidencialitetit bankar dhe mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa ndaj punonjësit do të kërkohet vlerësimi i përgjegjësisë penale.

Reklamë

Në reagimin e kabinetit ishte theksuar gjithashtu se Rama do të kërkojë kompensim për dëmin që pretendon se i është shkaktuar në privatësi dhe reputacion.