×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus

    PDK dhe LDK përplasen në Istog për seancën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Reporteri
    25 Shtator 2026 | 13:55

    Thirrja e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Istogut, e paraparë për të premten për miratimin e një deklarate në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të dënuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ka shkaktuar përplasje mes PDK-së dhe LDK-së në këtë komunë.

    Kryetari i degës së PDK-së në Istog, Ali Nimanaj, të enjten publikoi thirrjen për mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme, me pikë të rendit të ditës miratimin e një deklarate lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara.

    Por, kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati nga LDK-ja, tha se për këtë seancë nuk kishte pasur diskutime paraprake me përfaqësuesit e subjekteve të tjera politike.

    Ferati deklaroi se seanca e rregullt e Kuvendit Komunal ishte planifikuar për të hënën dhe se në rendin e ditës ishte paraparë edhe miratimi i deklaratës kundër aktgjykimit të Hagës.

    “Si kryetar i komunës, asnjë diskutim s’kam pasë me asnjë akter politik partiak lokal në raport me seancën e thirrur për të shqyrtuar dhe aprovuar deklaratën kundër aktgjykimit të Hagës, as nuk na janë kërkuar nënshkrimet e grupit të kuvendarëve të LDK-së për seancë!”, ka shkruar Ferati në Facebook.

    Ndërkohë, Nimanaj ka reaguar të premten, duke njoftuar se mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Istogut nuk është mbajtur për shkak të mungesës së kuorumit.

    Ai e ka cilësuar këtë si përpjekje për “bojkot të historisë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!