Numërimi mbrapsht për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës ka nisur, ndërsa deri më tani nuk ka pasur një marrëveshje politike për emrin që do ta drejtojë shtetin.

Kanë mbetur edhe nëntë ditë deri më 6 tetor, afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit të ri. Nëse deri atëherë nuk zgjidhet Presidenti, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Datat e mundshme për zgjedhjet e reja janë 8 ose 15 nëntori, shkruan Reporteri.net.

Megjithatë, edhe pse koha po skadon, kryeministri Albin Kurti ende nuk ka thirrur në takime të reja krerët e partive për diskutime konkrete për mundësinë e zgjedhjes së Presidentit të ri.

Reklamë

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka kërkuar dialog dhe marrëveshje urgjente politike për çështjen e kreut të shtetit, duke tërhequr vërejtjen se mosarritja e një konsensusi do ta çojë vendin drejt një cikli të ri zgjedhor krejtësisht të panevojshëm dhe pa rezultat të ri.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se zgjidhja e nyjës politike për Presidentin përbën hapin kryesor për të dalë nga bllokada institucionale.

“Është evidente që pa marrëveshje për të i çelet rrugë një procesi të ri zgjedhor, që praktikisht nuk do të sjellë asgjë të re. Aq më pak zgjidhje,” ka deklaruar Haxhiu në reagimin e saj.

Sipas saj, proceset e fundit zgjedhore me rezultate të ngjashme janë dëshmi se vendi ka nevojë për bashkëpunim politik dhe se mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme vetëm sa e dëmton buxhetin dhe interesin e qytetarëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedh presidentin e ri atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të reja për Kuvendin e Kosovës.

Reklamë

Për kryeministrin Kurti zgjedhjet e reja, të katërtat brenda dy viteve, janë të panevojshme e të kushtueshme.

“Sipas njoftimit të pardjeshëm të Gjykatës Kushtetuese, afati për zgjedhjen e presidentit është deri më 6 tetor. Nëse nuk do të arrijmë të zgjedhim president të ri, do të shkojmë sërish në zgjedhje, që do të jenë zgjedhjet e katërta brenda dy viteve. Zgjedhjet e reja janë të panevojshme e të kushtueshme”- ka thënë ai më 25 shtator.

Sipas kryeministrit Kurti, kuvendi i konstituar mund t’i jap vendit president apo presidente, dhe se nuk duhet të ketë zgjedhje.

“Ne tashmë kemi kryetare të Kuvendit dhe kemi qeveri të zgjedhur, dhe ky Kuvend mund t’i japë vendit president apo presidente. Duhet ta kuptojmë që në Kosovë nuk kemi zgjedhje presidenciale. Zgjedhjet e reja do të jenë sërish për Kuvend e për qeveri dhe jo për president, pasi zgjedhja e presidentit bëhet nga Kuvendi. Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për të konstituar sërish Kuvendin, i cili nuk arrin të zgjedhë president? Nuk duhet të shkojmë vazhdimisht në zgjedhje vetëm për të konstatuar rezultate të njëjta”, tha Kurti më 25 shtator.

Reklamë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka lënë të hapur mundësinë që partia e tij të ndryshojë qëndrimin lidhur me zgjedhjen e Presidentit të vendit, pas zhvillimeve të 16 shtatorit.

Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, Hamza deklaroi se vendi ndodhet në rrethana të reja politike, të cilat mund të ndikojnë edhe në qëndrimet e partisë për çështje të rëndësishme shtetërore.

“Jemi në rrethana të reja, jemi në gjendje të re, në gjendje që nuk ka të bëjë veç me të kaluarën, nuk ka të bëjë me individë. Ka të bëjë me shtetin, dhe ka të bëjë me të ardhmen e shtetit”, deklaroi Hamza, duke shtuar se PDK-ja do t’i përshtatë qëndrimet në përputhje me këto rrethana.

I pyetur nëse PDK-ja do ta mbështeste një kandidat për President të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Hamza nuk dha përgjigje përfundimtare, duke thënë se nuk mund të diskutohet për një mundësi të tillë pa pasur një propozim konkret.

Reklamë

Ai konfirmoi se tashmë ka zhvilluar takime me kryetarët e partive të tjera politike, përfshirë Albin Kurtin, Lumir Abdixhikun dhe Ardian Gjinin, ndërsa u shpreh i gatshëm për takime të tjera.

Sipas tij, në situatën aktuale politike, komunikimi ndërmjet liderëve partiakë është i nevojshëm për trajtimin e çështjeve me rëndësi për vendin.

Ardian Gjini, kryetar i Aleancës pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka thënë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve dhe për këtë fajësoi Albin Kurtin.

“Gjykata Kushtetuese e nxori Kosovën prej një momenti të paparashikuar krize, 6 tetorin. E të cilën datë po ashtu partia që i fitoi zgjedhjet e kaluara e priste”, deklaroi ai.

Reklamë

Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk e merr shumicën prej 80 votash në dy votimet e para, Kushtetuta parasheh organizimin e një votimi të tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr të paktën 61 vota zgjidhet President. /Reporteri.net/.