×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Dy heronjtë që shpëtuan 174 jetë në fluturimin Dubai-Tel Aviv

    Reporteri
    30 Shtator 2026 | 16:34

    Dy pilotë që ndodheshin rastësisht në pjesën e pasme të avionit janë kthyer në figurat kryesore të incidentit në fluturimin Dubai-Tel Aviv, pasi ndihmuan në marrjen e kontrollit të avionit dhe e ulën atë në mënyrë emergjente në Arabinë Saudite.

    Pilotët, të cilët raportohet se ishin “pilotë zëvendësues” dhe pritej të operonin një fluturim të mëvonshëm, hynë në kabinën e pilotimit pasi njëri prej pilotëve të fluturimit dyshohet se sulmoi me thikë kolegun e tij.

    Sipas dëshmive të pasagjerëve, dy pilotët ndihmuan në stabilizimin e Boeing 737 dhe në uljen e tij, duke shmangur një situatë që mund të kishte përfunduar me pasoja të rënda për 174 personat në bord.

    Një prej tyre raportohet të jetë britanik, ndërsa tjetri evropian, por kombësia e tij nuk është bërë e ditur.

    Një pasagjer, Almog Itali, u ka thënë mediave se detajet e sakta të asaj që ndodhi në kabinë ende nuk janë të qarta, por konfirmoi rolin e dy pilotëve.

    “Ka mjaft versione”, tha ai pasi kishte folur me persona që ndodheshin në pjesën e përparme të avionit. “Ajo që është e qartë është se ishin dy pilotë në kabinë, njëri goditi tjetrin me thikë”.

    Fluturimi FZ 1073 i Flydubai, nga Dubai drejt Tel Avivit, transmetoi një sinjal emergjence rreth dy orë pas nisjes. Më pas sinjali u ndryshua në kod rrëmbimi, për t’u rikthyer përsëri në sinjalin e përgjithshëm të emergjencës.

    Të dhënat e gjurmimit të fluturimit tregojnë se avioni humbi rreth 5,200 metra lartësi në më pak se dy minuta, përpara se të devijohej drejt Arabisë Saudite.

    Pasagjerët kanë raportuar se njëri prej pilotëve ishte goditur me thikë. Aeroporti ku u ul avioni konfirmoi se si kapiteni, ashtu edhe bashkëpiloti kishin pësuar lëndime dhe se të dy ishin dërguar në spital, pa specifikuar mënyrën se si ishin lënduar.

    Sipas BBC-së, tashmë po hetohet mundësia që incidenti të ketë qenë një përpjekje për rrëmbimin e avionit nga njëri prej pilotëve.

    Në një video të publikuar nga avioni, një pasagjer dëgjohet duke thënë: “Kushdo që më dëgjon: kemi nevojë për ndihmë”.

    Një tjetër pasagjer ka thënë se pasagjerët dhe ekuipazhi arritën të merrnin kontrollin e avionit nga “një person me thikë”.

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se njëri prej pilotëve kishte therur me thikë kolegun e tij dhe dyshohet se kishte tentuar ta rrëzonte avionin. Ai tha se një pasagjer dhe një pjesëtar i ekuipazhit kishin arritur të hynin në kabinë dhe të “neutralizonin” pilotin sulmues.

    Hetimet pritet të sqarojnë rrethanat e plota të incidentit, ndërsa roli i dy pilotëve zëvendësues që ndihmuan në uljen e avionit mbetet një nga elementet kryesore të ngjarjes.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!