×
  • Sport
  • Raporto
  • Sport

    ​A gaboi Foda mbrëmë? Zgjedhjet e tij ndezin debat pas barazimit me Izraelin

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 9:20

    Franco Foda vendosi të befasojë me formacionin ndaj Izraelit, por në fund Kosova u desh të pajtohej vetëm me një barazim pa gola, rezultat që ka hapur debat rreth zgjedhjeve të përzgjedhësit gjerman.

    Në Debrecen, Kosova e nisi ndeshjen me disa ndryshime të rëndësishme në formacion. Krahasuar me sfidën ndaj Austrisë, Foda bëri shtatë ndryshime në formacionin titullar, ndërsa për shkak të një problemi muskulor Vedat Muriqi nuk ishte as në bankën rezervë. Edon Zhegrova gjithashtu e nisi ndeshjen nga stoli.

    Në vend të disa prej titullarëve të zakonshëm, Foda u dha hapësirë futbollistëve më të rinj, përfshirë Dion Kaçurin, Milot Avdylin dhe Valmir Matoshin. Kaçuri e nisi për herë të parë një ndeshje me përfaqësuesen, ndërsa formacioni i Kosovës në përgjithësi kishte shumë pak përvojë të përbashkët.

    Vendimi i Fodës nuk kaloi pa kritika. Pas ndeshjes, një numër i madh komentuesish kritikuan paraqitjen e Kosovës, ndërsa kritikat u drejtuan edhe ndaj përzgjedhësit për zgjedhjet që bëri në formacion dhe për mënyrën se si e menaxhoi ndeshjen.

    Debati lidhet pikërisht me pyetjen nëse një ndeshje e Ligës së Kombeve ishte momenti i duhur për një eksperiment kaq të madh, veçanërisht pasi Kosova kishte mundësinë të afrohej më shumë me Austrinë në krye të grupit.

    Nga ana tjetër, Foda e ka një argument të qartë për zgjedhjet e tij.

    “Vitin e ardhshëm e kemi synim kualifikimin në Kampionatin Evropian dhe për këtë arsye kam vendosur që të prezantoj fytyra të reja. Djemtë e kanë bërë punën e tyre”, deklaroi Foda pas ndeshjes.

    Ai theksoi se Kosova kishte përballë një kundërshtar teknikisht të fortë dhe se futbollistët e aktivizuar nuk kishin luajtur më parë së bashku.

    “Ky konstalacion i skuadrës nuk ka luajtur kurrë bashkë dhe, marrë në përgjithësi, duhet të jemi të kënaqur me një barazim”, shtoi përzgjedhësi.

    Megjithatë, statistikat e ndeshjes tregojnë se Kosova pati vështirësi për të krijuar raste të shumta të pastra, ndërsa Izraeli pati disa mundësi të mira për të shënuar.

    Amir Shaipi ishte ndër lojtarët më të spikatur të Kosovës, me disa pritje të rëndësishme.

    Në pjesën e dytë, Foda tentoi ta ndryshojë ritmin duke aktivizuar edhe Leon Avdullahun, Milot Avdylin, Muharrem Jasharin, Milot Rashicën dhe në fund Edon Zhegrovën, por goli nuk erdhi.

    Në fund, Kosova mori një pikë dhe mbetet me katër pikë pas tri ndeshjeve në Grupin B3, ndërsa Austria kryeson me shtatë pikë pas barazimit 2:2 me Irlandën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!