Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit publikoi në Facebook një dokument me “të arriturat kryesore” të Qeverisë Kurti 2.
Bajrami ka vënë në pikëpyetje nëse në raportin e Kurtit janë përfshirë edhe premtimet që, sipas saj, nuk janë realizuar gjatë qeverisjes së tij.
Në një postim në Facebook, ajo ka përmendur ndërtimin e 160 çerdheve, përfundimin e rrugëve për Podujevë, Pejë e Mitrovicë, si dhe rrugën për Gjilan.
“Çka kish raportu Albini për gjashtë vjet? A kish raportu se i ka ndërtu 160 çerdhe? A kish raportu se i ka përfundu rrugët për Podujevë, Pejë e Mitrovicë?”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka ngritur edhe çështjen e premtimeve për luftimin e korrupsionit, rezervat shtetërore, furnizimin e spitaleve me barna dhe luftimin e, siç e quajti, mafisë energjetike.
“ A kish raportu se i ka çu hajnat në burg? A kish raportu se e ka luftu mafinë energjetike? A kish tregu qysh ju dashtën 6 vjetë me marrë veshë se po blejmë energji nga kompanitë e Serbisë?”, ka shkruar deputetja.
Bajrami ka përmendur gjithashtu premtimet për bashkim kombëtar, hekurudha, diga dhe kërkimfalje nga Serbia.
Ajo ka thënë se ende nuk e ka lexuar raportin e publikuar nga Kurti, pasi ndodhet në Forumin Ekonomik të Riinvestit, ku po diskutohen problemet e vendit.
Sipas Bajramit, Kurti gjatë gjashtë vjetëve ka pasur në dispozicion rreth 20 miliardë euro, ndërsa ka pyetur se çfarë është realizuar me të hyrat nga taksat e qytetarëve.
“Çka ka ndodhë me premtimet e tij? Çka presin qytetarët përpos rënies së çmimit të biletave me ikë në Gjermani?”, ka përfunduar ajo.