Gjatë fundjavës mbi vendin tonë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të herëpashershme teksa temperaturat minimale do të shënojnë rënie.
Të shtunën do të mbretërojë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta. Vranësira më të theksuara mund të paraqiten përreth relievit malor, por nuk do ketë reshje. Temperaturat minimale do të lëvizin nga minus 1 deri në 3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimalet nga 18 deri në 22 gradë Celsius.
Era do të fryjë nga verilindja, me shpejtësi 1-4 metra për sekondë, raporton KosovaPress.
Ditën e diel do të mbretërojë mot me diell dhe vranësira të ndryshueshme. Nuk parashihen reshje. Temperaturat minimale do të lëvizin nga zero deri në 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 19 deri në 24 gradë Celsius. Era do të fryjë nga verilindja, me shpejtësi 1–3 metra për sekondë.
Kushtet biometeorologjike do të jenë përgjithësisht të mira dhe të përshtatshme për aktivitetet në ambient të hapur.
Rritja e temperaturave gjatë ditës do të sjellë kushte më të favorshme termike, ndërsa në orët e mëngjesit do të mbizotërojnë temperatura relativisht të ulëta.
Sipas tendencave aktuale të parashikimeve, më 9 dhe 10 tetor pritet një ndryshim i kushteve atmosferike, me mundësi për reshje shiu në gjithë territorin e Kosovës.
Në viset e larta mbi 1 200 metra lartësi mbidetare, paraqiten kushte për reshje bore. Ky është një lajm i mirë, veçanërisht për bujqësinë dhe përgatitjen e tokës, pas periudhës së thatë. Sasia dhe shpërndarja e reshjeve do të jenë më të qarta me afrimin e këtyre datave, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.