Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka kritikuar qasjen e partisë së tij gjatë 18 muajve të fundit, duke thënë se ndryshimet e shpeshta të qëndrimeve e kanë bërë të vështirë për votuesit ta kuptojnë se për çfarë qëndron LDK-ja.
Ai ka përmendur kalimin e LDK-së nga qëndrimi “me Kurtin nuk bisedojmë”, te kërkesa për zgjedhje, më pas te bashkëqeverisja dhe së fundmi te ideja për zgjedhjen e përbashkët të presidentit.
“Votuesi nuk ka faj. Nuk e ka të lehtë ta kuptojë se për çka qëndron LDK-ja, kur për 18 muaj kaluam nga ‘me Kurtin nuk bisedojmë’, te ‘duam zgjedhje’, pastaj ‘duam bashkëqeverisje’, e tani te ‘hajde ta bëjmë bashkë Presidentin’”, ka shkruar Gashi.
Ai ka kritikuar edhe situatën politike në vend, duke thënë se Kosova ka shkuar në tri palë zgjedhje dhe rrezikon edhe të katërtat, ndërsa vendi mbetet pa qeveri dhe pa institucione funksionale.
Gashi ka akuzuar eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje se po tentojnë të gjejnë “gjashtë deputetë të LDK-së” si fajtorë për dështimin për ta nënshtruar, sipas tij, LDK-në dhe Kosovën.
“Ku janë parimet? Ku është konsistenca? Ku është drejtimi? Ku është ideali?”, ka pyetur ai, duke shtuar: “LDK-ja nuk nënshtrohet dhe nuk shantazhohet. Kot e keni.”
Gashi ka bërë thirrje për rikthim te parimet dhe identiteti politik i LDK-së.
“Kosovës i duhet LDK-ja e vërtetë: një LDK që ka politika, programe, aleanca dhe vizion për zhvillimin e vendit; një LDK që bashkëpunon, por që nuk e humb identitetin dhe parimet e saj”, ka shkruar ai.