×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Njoftimi
    INSTANT

    Kuvendi me njoftim për seancën e nesërme: Ligji për Specialen pika e parë

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 20:43

    Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se të hënën do të mbahet seancë e jashtëzakonshme plenare.

    Senaca do të mbahet nga ora 09:00, me 22 pika në rend dite.

    Pika e parë e rendit të ditës është Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Kujtojmë se 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, bazuar në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

    Të shtunën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherit kreu i Lëvizjes Vetëvendosje është takuar ndaras me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Rendi i ditës:

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr.11/L-002 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr.11/L-014 për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 1. të Marrëveshjes Financiare në mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2021,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr.11/L-015 për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 1. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2022,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr.11/L-016 për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027,

    Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë,

    Zgjedhja e Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë,

    Zgjedhja e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës,

    Përzgjedhja e dy (2) anëtarëve joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,
    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-006 për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-017 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-007 për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-008 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 08/L-249,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-009 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës,

    Shqyrtimi në i parë i Projektligjit nr.11/L-010 për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-011 për Akademinë e Drejtësisë,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-003 për Energjinë,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-004 për Energjinë Elektrike,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-005 për Inovacion dhe Ndërmarrësi,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-012 për pagesat e vonuara në transaksionet tregtare,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-013 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-018 për Menaxhimin e Resurseve Ujore.

    Endrit Thaçi u bën thirrje partive: Të bëhen bashkë dhe ta kalojnë ligjin për Specialen

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 21:22

    Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje që të gjitha partive politike të bëhen bashkë dhe ta miratojnë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Duke folur për TV Dukagjinin gjatë protestës “Jo në emrin tim”, Endrit Thaçi i ka falënderuar qytetarët për mbështetjen.

    “Ju ftoj të gjitha partitë që të bëhen bashkë edhe ta kalojnë ligjin për Gjykatën Speciale. I falënderoj të gjithë popullin për mbështetje”, ka deklaruar ai.

    Protestuesit vendosin tendat para Kuvendit, planifikojnë të qëndrojnë deri në mëngjes

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 21:20

    Protestuesit e mbledhur para Kuvendit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së kanë paralajmëruar se aty do të qëndrojë gjatë gjithë natës sonte.

    Një nga organizatorët e kësaj proteste Qlrim Haziri ka ftuar qytetarët që të hënën të mblidhen para Kuvendit në orën 08:00, ku një orë më vonë do të mbahet seanca e Kuvendit e cila në rend dite ka miratimin në lexim të parë të projektligjit për Dhomat e Specializuara.

    /Tëvë1

    Protesta rreth Qeverisë e Kuvendit, organizatorët: Sonte do të qëndrojmë gjithë natën para Kuvendit

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 20:16

    Po vazhdon protesta e 19-të me radhë, e cila në dy netët e fundit është zhvendosur para Kuvendit të Kosovës.

    Organizatori i protestës, Çlirim Haziri ka thënë se sonte do të qëndrojnë gjithë natën para Kuvendit.

    Ndryshe, Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka thirrur për nesër në ora 9:00 seancën e jashtëzakonshme ku ligji për Specialen do të jetë pika e rendit të ditës.

    Ndërron ora e protestës pas caktimit të seancës, veteranët: UÇK na bashkon, shihemi në ora 9:00 para Kuvendit

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 20:07

    OVL-UÇK ka bërë thirrje për protestë nesër në ora 09:00, para Kuvendit të Kosovës.

    Ne atë kohë fillon seanca e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të jetë çështja edhe ndryshim-ligji për Gjykatën Speciale, i propozuar nga PDK-ja.

    Proteta ishte thirrur për nesër në orën 12:00, por ka ndryshuar ajo shkak i zhvillimeve me punimet e Kuvendit.

    OVL-UÇK iu ka bërë thirrje gjithë qytetarëve të dalin ne protestë.

    Hamza: Optimist se Ligji për Specialen do të votohet, PDK-ja e hapur për çështjen e presidentit

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 18:06

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se është optimist që plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara do të kalojë nesër në Kuvend.

    Ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ka thënë se partia e tij asnjëherë nuk ka kërkuar të bëhet pjesë e Qeverisë Kurti, por se është e hapur për t’i dhënë vendit president.

    “Ne nuk kemi kërkuar asnjëherë të jemi pjesë e qeverisë por nuk jemi të mbyllur dhe përjashtues për t’i dhënë vendit president. Nesër jam optimist se ligjin do ta përkrahin të gjithë deputetët, edhe i lus edhe i ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të jenë në mbështetje të këtij projektligji”, deklaroi Hamza.

    Ai e cilësoi projektligjin si të rëndësishëm për procesin e drejtësisë, duke theksuar se qëndrimi i tij dhe i PDK-së nuk është kundër drejtësisë, por kundër asaj që ai e konsideron padrejtësi në proceset e Dhomave të Specializuara.

    “Është një ligj tepër i rëndësishëm, është një ligj që kërkon të vendosë drejtësi. Nuk jemi kundër drejtësisë, jemi kundër padrejtësisë”, tha ai.

    Hamza tha se synimi është që procesi i apelimit të zhvillohet brenda Dhomave të Specializuara dhe që vendimet të bazohen në prova dhe fakte.

    Aii theksoi se iniciativa nuk synon shpërbërjen e Dhomave të Specializuara, por vendosjen e mekanizmave që, sipas tij, do ta rikthenin procesin brenda kornizave juridike dhe ligjore.

    “Ne nuk po e shpërbëjmë Gjykatën apo Dhomat e Specializuara, por po vendosim mekanizma, po e vendosim, po e kthejmë brenda normave juridike dhe ligjore”, deklaroi Hamza.

    Ai shprehu bindjen se projektligji do të marrë mbështetjen e deputetëve dhe se procedurat e tij do të përfundojnë brenda Kuvendit. /Reporteri.net/.

    Para seancës, Komisioni për Legjislacion nesër shqyrton Ligjin për Specialen

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 15:39

    Të hënën nga ora 8:00 do të mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion, ku në rend të ditës do të jetë shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dhomat e Specializuara të Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komisionit për Legjislacion, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, nëpërmjet një postimi në Facebook.

    “Të hënën, më 5 tetor 2026, në ora 08:00, në sallën N-10, do të mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion. Në rend të ditës është shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas ngarkimit të Komisionit me shqyrtimin e tij. Mbledhja do t’i kushtohet shqyrtimit të Projektligjit dhe aspekteve të tij juridike, në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat e Kuvendit. Ftohen deputetët dhe mediat që të marrin pjesë në këtë mbledhje!” – ka shkruar Qorrolli në Facebook.

    Lëvizja Vetëvendosje ka bërë kërkesë që nesër të mbahet seancë në Kuvendin e Kosovës nga ora 9:00, ku ndër pikat do të jetë edhe ky projektligj.

    Protestuesit ndalin Arbërie Nagavcin, Arian Tahirin dhe Besnik Tahirin para shtëpive: Thirreni seancën, votojeni ligjin për UÇK-në

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 15:17

    Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë ndaluar para shtëpive të tyre kryetarët e grupeve parlamentare të LVV-së, PDK-së dhe AAK-së, përkatësisht Arbërie Nagavcin, Arian Tahirin dhe Besnik Tahirin, duke u kërkuar llogari për vonesat në votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    Ata kanë kërkuar që të thirret sa më parë seanca e Kuvendit dhe të votohet projektligji, të cilin e konsiderojnë të domosdoshëm për mbrojtjen e UÇK-së dhe çlirimtarëve.

    Protestuesit u kanë bërë thirrje drejtuesve të grupeve parlamentare që kërkesën ta kthejnë në veprim konkret, duke siguruar mbështetjen e deputetëve për procedimin dhe miratimin e tij pa vonesë.

    Ky veprim vjen kur kanë mbetur më pak se 72 orë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit. Sipas protestuesve, nëse presidenti nuk zgjidhet dhe vendi shkon në zgjedhje, rrezikohet që projektligji të mbetet pa u miratuar nga kjo përbërje e Kuvendit.

    Kërkesa e iniciativës “Jo në emrin tim” mbetet e njëjtë: të thirret seanca dhe të votohet ligji që, sipas saj, mbron UÇK-në.

     

    Kuvendi nesër në seancë të jashtëzakonshme, shqyrtohet Ligji për Specialen

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 15:05

    Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar kërkesë që nesër të mbahet seancë në Kuvendin e Kosovës me fillim në ora 9:00.

    Kërkesa i është drejtuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, ndërsa është dorëzuar nga deputetja Arbërie Nagavci, në emër të deputetëve nënshkrues.

    Pika e parë e rendit të ditës është Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Screenshot
    Screenshot

    6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, bazuar në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

    Të shtunën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherit kreu i Lëvizjes Vetëvendosje është takuar ndaras me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Hamza tha pas takimit se PDK-ja do të jetë e gatshme për presidentin, por pasi të miratohen në Kuvend ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale.

    Musliu: I vetmi që nuk pret është Ligji për Specialen, të tjerat presin

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 14:22

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, para mbledhjes së kryesisë ka thënë se kjo parti asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë shtetërore dhe institucionale.

    Ajo ka theksuar se edhe në rrethanat aktuale, kjo parti sipas saj, po angazhohet për të bërë më të mirën për Kosovën.

    “Jemi duke u munduar të bëjmë më të mirën për Kosovën, në rrethanat në të cilat jemi, gjithmonë jemi duke u munduar të bëjmë më të mirën për Kosovën. Prandaj, në vazhdën e angazhimit tonë, e kemi edhe takimin e sotëm.”, ka deklaruar ajo.

    Musliu ka thënë se takimi i sotëm i kryesisë është pjesë e angazhimit të PDK-së, ndërsa ka refuzuar të japë përgjigje për çështjet që do të diskutohen në mbledhje, duke thënë se do të flasë pas përfundimit të saj.

    “E tani, hipotetike, asnjë përgjigje nuk e jap unë. Kur të dal prej mbledhjes, ju tregoj çka kemi folur në mbledhje, por përderisa nuk jam futur në mbledhje, është kjo. E thashë edhe një herë, nuk i ikim asnjëherë përgjegjësisë shtetërore si Partia Demokratike e institucionale. Jemi duke u munduar, në rrethanat në të cilat jemi, jemi duke u bërë… duke u munduar të bëjmë më të mirën për Kosovën. Ajo çka nuk pret momentalisht është Ligji për Dhomat e Specializuara, të tjerat presin”, ka deklaruar Musliu.

    Hamza: E përsëris, së pari votohet Ligji për Specialen, pastaj bisedohet për president

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 14:12

    Kryetari i PDK-së Bedri Hamza, ka folur për media para takimit të thirrur me kryesinë dhe Grupin Parlamentar të këtij subjekti.

    Ai foli sërish për votimin e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara për të cilën dje kishte folur edhe me kryeministrin Albin Kurti.

    “Ne po themi me u aprovu ligji në dy leximet, pastaj me u propozu emri për president dhe me u zgjedhë presidenti e me u shmang zgjedhjet. Nëse dikush ka plan me çu vendin në zgjedhje është temë tjetër”, deklaroi Hamza.

    Hamza theksoi se nëse do të ketë takime tjera në ndërkohë me Kurtin, do të informoheni me kohë.

    Takimi i Kryesisë dhe Grupit Parlamentar, PDK: Po mundohemi të bëjmë më të mirën për Kosovën

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 14:07

    Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Grupi Parlamentar i kësaj partie janë mbledhur sot në një mbledhje të përbashkët në ora 14:00, në selinë qendrore të PDK-së.

    Para nisjes së takimit, zyrtarë të PDK-së nuk janë deklaruar për media.

    Sekretarja e partisë, Vlora Çitaku ka thënë se do të deklarohen pasi të përfundojë mbledhja.

    Por, para se të nis takimi ka folur deputetja Ganimete Musliu.

    “PDK po mundohet ta bëjë më të mirën për Kosovën”, tha ajo para mbledhjes së PDK-së.

    Ky takim vjen pas zhvillimeve të fundit politike dhe takimeve që Hamza dje i zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti.

    Hamza njoftoi se nuk kanë arritur marrëveshje me Kurtin dhe se ka edhe disa ditë mundësi për të ndodhë një gjë e tillë.

    Anëtari i kryesisë së PDK-së: Kurti, pazarxhi i vlerave kombëtare

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 12:27

    Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka kritikuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për qëndrimin e tij ndaj ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e akuzuar se po i jep përparësi “pazarit të pushtetit” dhe interesave personale.

    Ai në një postim në rrjetet sociale e ka cilësuar Kurtin si “pazarxhi i vlerave kombëtare”, duke rikujtuar qëndrimet e tij ndër vite ndaj luftës së UÇK-së dhe çështjes së çlirimtarëve.

    Gjoshi ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, Kurti ka vepruar pasi çlirimtarët u përballën me proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    “Kur çlirimtarët përfunduan në burg, asnjë vizitë te ta s’e bëri, asnjë gur s’e lëvizi, edhe pse kishte pushtet absolut”, ka shkruar Gjoshi.

    Postimi i tij:

    Pazarxhi i vlerave kombëtare!

    Armën s’e kapi për liri – sepse në atë luftë nuk besoi.

    Kur vetë ra në burg, çlirimtarët i ranë botës për të kërkuar lirimin e tij.

    Pak vite pasi doli nga burgu, çlirimtarëve u tha: shkoni ju në burg – sepse pushtetin për vete e donte më shumë.
    Kur çlirimtarët përfunduan në burg, asnjë vizitë te ta s’e bëri, asnjë gur s’e lëvizi, edhe pse kishte pushtet absolut.
    Pushtetin e përdori për interesa të veta, në dëm të shtetit që ata e çliruan.

    E sot, kur historia ia dha edhe një mundësi për të shlyer një pjesë të gjynaheve dhe gabimeve të tij, ai sërish zgjedh pazarin: nuk dëshiron ta kalojë ligjin që mbron UÇK-në.

    Kur liria iu desh për vete, kërkoi zërin e çlirimtarëve. Kur çlirimtarëve u duhet veprimi i tij, ua kthen shpinën.
    Për të, edhe sakrifica për liri ka çmim në pazarin e pushtetit.

    E frikshme. E papranueshme. E patolerueshme.

    Për çdo pasojë të kësaj zvarritjeje, përgjegjësia politike është e jotja, Albin.

    Një cinik që ia di çmimin çdo gjëje, por vlerën asgjëje. Por cinizmi është strehë për mendjet e vogla.
    JO NË EMRIN TIM!

     

     

    Hamza thërret takim të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 11:55

    Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Grupi Parlamentar i kësaj partie do të zhvillojnë sot një mbledhje të përbashkët në ora 14:00, në selinë qendrore të PDK-së.

    Kjo është konfirmuar nga zyrtarë të kësaj partie.

    Ky takim vjen pas zhvillimeve të fundit politike dhe takimeve që Hamza dje i zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti.

    Hamza njoftoi se nuk kanë arritur marrëveshje me Kurtin dhe se ka edhe disa ditë mundësi për të ndodhë një gjë e tillë.

     

    Partitë ende pa marrëveshje: A po shkon Kosova drejt zgjedhjeve?

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 8:32

    Kosova ka hyrë në ditët vendimtare për zgjedhjen e presidentit të ri. Deri më 6 tetor partitë politike duhet të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, ndryshe vendi shkon në zgjedhje parlamentare.

    Pavarësisht se krerët e partive kanë deklaruar publikisht se nuk i duan zgjedhjet e reja, marrëveshje mes tyre ende nuk ka.

    Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së diel zhvilloi takime me dy liderët e partive opozitare, kreun e PDK-së, Bedri Hamza dhe kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Pas përfundimeve të takimeve, i vetmi që foli ishte Hamza, kurse Kurti e Abdixhiku heshtën, shkrua Reporteri.net.

    Të parin Kurti e takoi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ky takim nuk zgjati edhe shumë. Pasi përfundoi, Abdixhiku doli nga objetki i Qeverisë, por nuk foli për gazetarët.

    Më pas Kurti në Qeveri priti kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Ky takim zgjati më shumë se dy orë, por pa rezultat. Këtë e konfirmoi vet Hamza, para gazetarëve.

    Hamza tha se kërkesë e PDK-së është që Ligji për Specialen të aprovohet në dy lexime, dhe pastaj partia e tij në të njëjtën ditë është e gatshme të japë votat për presidentin.

    “Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit në dy lexime, aprovimi final i ligjit. Pastaj PDK është e gatshme që, në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojë, të japë zgjidhjen për presidentin dhe të japë votat për presidentin. Bisedat i kemi përfundu. Kemi edhe disa ditë ku kemi mundësi me arrit marrëveshje. Nuk e di a do të ndodhë marrëveshja”, deklaroi Hamza para mediave.

    Kujtojmë Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve, pas mungesës së një marrëveshjeje politike për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

    OVL ka thënë se nëse deri sot s’ka marrëveshje, nga e hëna do t’i përshkallëzojnë veprimet e tyre. /Reporteri.net/.

     

     

    Takimet për ligj e president: Kurti e Abdixhiku heshtin – Hamza konfirmon se s’ka marrëveshje

    Reporteri
    03 Tetor 2026 | 21:50

    Kryeministri Albin Kurti, gjatë ditës së diel zhvilloi takime me dy liderët e partive opozitare, kreun e PDK-së, Bedri Hamza dhe kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Pas përfundimeve të takimeve, i vetmi që foli ishte Hamza, kurse Kurti e Abdixhiku heshtën, shkrua Reporteri.net.

    Të parin Kurti e takoi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ky takim nuk zgjati edhe shumë. Pasi përfundoi, Abdixhiku doli nga objetki i Qeverisë, por nuk foli për gazetarët.

    Më pas Kurti në Qeveri priti kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Ky takim zgjati më shumë se dy orë, por pa rezultat. Këtë e konfirmoi vet Hamza, para gazetarëve.

    “Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit në dy lexime, aprovimi final i ligjit. Pastaj PDK është e gatshme që, në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojë, të japë zgjidhjen për presidentin dhe të japë votat për presidentin. Bisedat i kemi përfundu. Kemi edhe disa ditë ku kemi mundësi me arrit marrëveshje. Nuk e di a do të ndodhë marrëveshja”, deklaroi Hamza para mediave.

    Kujtojmë se këto takime po zhvillon kur Kuvendit i ka mbetur afat deri më 6 tetor për ta zgjedhur Presidentin e ri.

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve, pas mungesës së një marrëveshjeje politike për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

    OVL ka thënë se nëse deri nesër s’ka marrëveshje, nga e hëna do t’i përshkallëzojnë veprimet e tyre.

    Nëse partitë nuk gjejnë marrëveshje për presidentin, vendi shkon në zgjedhje të reja. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!