×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Dokument
    INSTANT

    Kuvendi nesër në seancë të jashtëzakonshme, shqyrtohet Ligji për Specialen

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 15:05

    Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar kërkesë që nesër të mbahet seancë në Kuvendin e Kosovës me fillim në ora 9:00.

    Kërkesa i është drejtuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, ndërsa është dorëzuar nga deputetja Arbërie Nagavci, në emër të deputetëve nënshkrues.

    Pika e parë e rendit të ditës është Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Screenshot
    Screenshot

    6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, bazuar në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

    Të shtunën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherit kreu i Lëvizjes Vetëvendosje është takuar ndaras me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Hamza tha pas takimit se PDK-ja do të jetë e gatshme për presidentin, por pasi të miratohen në Kuvend ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale.

    Para seancës, Komisioni për Legjislacion nesër shqyrton Ligjin për Specialen

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 15:39

    Të hënën nga ora 8:00 do të mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion, ku në rend të ditës do të jetë shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dhomat e Specializuara të Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komisionit për Legjislacion, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, nëpërmjet një postimi në Facebook.

    “Të hënën, më 5 tetor 2026, në ora 08:00, në sallën N-10, do të mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion. Në rend të ditës është shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas ngarkimit të Komisionit me shqyrtimin e tij. Mbledhja do t’i kushtohet shqyrtimit të Projektligjit dhe aspekteve të tij juridike, në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat e Kuvendit. Ftohen deputetët dhe mediat që të marrin pjesë në këtë mbledhje!” – ka shkruar Qorrolli në Facebook.

    Lëvizja Vetëvendosje ka bërë kërkesë që nesër të mbahet seancë në Kuvendin e Kosovës nga ora 9:00, ku ndër pikat do të jetë edhe ky projektligj.

    Protestuesit ndalin Arbërie Nagavcin, Arian Tahirin dhe Besnik Tahirin para shtëpive: Thirreni seancën, votojeni ligjin për UÇK-në

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 15:17

    Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë ndaluar para shtëpive të tyre kryetarët e grupeve parlamentare të LVV-së, PDK-së dhe AAK-së, përkatësisht Arbërie Nagavcin, Arian Tahirin dhe Besnik Tahirin, duke u kërkuar llogari për vonesat në votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    Ata kanë kërkuar që të thirret sa më parë seanca e Kuvendit dhe të votohet projektligji, të cilin e konsiderojnë të domosdoshëm për mbrojtjen e UÇK-së dhe çlirimtarëve.

    Protestuesit u kanë bërë thirrje drejtuesve të grupeve parlamentare që kërkesën ta kthejnë në veprim konkret, duke siguruar mbështetjen e deputetëve për procedimin dhe miratimin e tij pa vonesë.

    Ky veprim vjen kur kanë mbetur më pak se 72 orë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit. Sipas protestuesve, nëse presidenti nuk zgjidhet dhe vendi shkon në zgjedhje, rrezikohet që projektligji të mbetet pa u miratuar nga kjo përbërje e Kuvendit.

    Kërkesa e iniciativës “Jo në emrin tim” mbetet e njëjtë: të thirret seanca dhe të votohet ligji që, sipas saj, mbron UÇK-në.

     

    Musliu: I vetmi që nuk pret është Ligji për Specialen, të tjerat presin

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 14:22

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, para mbledhjes së kryesisë ka thënë se kjo parti asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë shtetërore dhe institucionale.

    Ajo ka theksuar se edhe në rrethanat aktuale, kjo parti sipas saj, po angazhohet për të bërë më të mirën për Kosovën.

    “Jemi duke u munduar të bëjmë më të mirën për Kosovën, në rrethanat në të cilat jemi, gjithmonë jemi duke u munduar të bëjmë më të mirën për Kosovën. Prandaj, në vazhdën e angazhimit tonë, e kemi edhe takimin e sotëm.”, ka deklaruar ajo.

    Musliu ka thënë se takimi i sotëm i kryesisë është pjesë e angazhimit të PDK-së, ndërsa ka refuzuar të japë përgjigje për çështjet që do të diskutohen në mbledhje, duke thënë se do të flasë pas përfundimit të saj.

    “E tani, hipotetike, asnjë përgjigje nuk e jap unë. Kur të dal prej mbledhjes, ju tregoj çka kemi folur në mbledhje, por përderisa nuk jam futur në mbledhje, është kjo. E thashë edhe një herë, nuk i ikim asnjëherë përgjegjësisë shtetërore si Partia Demokratike e institucionale. Jemi duke u munduar, në rrethanat në të cilat jemi, jemi duke u bërë… duke u munduar të bëjmë më të mirën për Kosovën. Ajo çka nuk pret momentalisht është Ligji për Dhomat e Specializuara, të tjerat presin”, ka deklaruar Musliu.

    Hamza: E përsëris, së pari votohet Ligji për Specialen, pastaj bisedohet për president

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 14:12

    Kryetari i PDK-së Bedri Hamza, ka folur për media para takimit të thirrur me kryesinë dhe Grupin Parlamentar të këtij subjekti.

    Ai foli sërish për votimin e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara për të cilën dje kishte folur edhe me kryeministrin Albin Kurti.

    “Ne po themi me u aprovu ligji në dy leximet, pastaj me u propozu emri për president dhe me u zgjedhë presidenti e me u shmang zgjedhjet. Nëse dikush ka plan me çu vendin në zgjedhje është temë tjetër”, deklaroi Hamza.

    Hamza theksoi se nëse do të ketë takime tjera në ndërkohë me Kurtin, do të informoheni me kohë.

    Takimi i Kryesisë dhe Grupit Parlamentar, PDK: Po mundohemi të bëjmë më të mirën për Kosovën

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 14:07

    Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Grupi Parlamentar i kësaj partie janë mbledhur sot në një mbledhje të përbashkët në ora 14:00, në selinë qendrore të PDK-së.

    Para nisjes së takimit, zyrtarë të PDK-së nuk janë deklaruar për media.

    Sekretarja e partisë, Vlora Çitaku ka thënë se do të deklarohen pasi të përfundojë mbledhja.

    Por, para se të nis takimi ka folur deputetja Ganimete Musliu.

    “PDK po mundohet ta bëjë më të mirën për Kosovën”, tha ajo para mbledhjes së PDK-së.

    Ky takim vjen pas zhvillimeve të fundit politike dhe takimeve që Hamza dje i zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti.

    Hamza njoftoi se nuk kanë arritur marrëveshje me Kurtin dhe se ka edhe disa ditë mundësi për të ndodhë një gjë e tillë.

    Anëtari i kryesisë së PDK-së: Kurti, pazarxhi i vlerave kombëtare

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 12:27

    Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka kritikuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për qëndrimin e tij ndaj ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e akuzuar se po i jep përparësi “pazarit të pushtetit” dhe interesave personale.

    Ai në një postim në rrjetet sociale e ka cilësuar Kurtin si “pazarxhi i vlerave kombëtare”, duke rikujtuar qëndrimet e tij ndër vite ndaj luftës së UÇK-së dhe çështjes së çlirimtarëve.

    Gjoshi ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, Kurti ka vepruar pasi çlirimtarët u përballën me proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    “Kur çlirimtarët përfunduan në burg, asnjë vizitë te ta s’e bëri, asnjë gur s’e lëvizi, edhe pse kishte pushtet absolut”, ka shkruar Gjoshi.

    Postimi i tij:

    Pazarxhi i vlerave kombëtare!

    Armën s’e kapi për liri – sepse në atë luftë nuk besoi.

    Kur vetë ra në burg, çlirimtarët i ranë botës për të kërkuar lirimin e tij.

    Pak vite pasi doli nga burgu, çlirimtarëve u tha: shkoni ju në burg – sepse pushtetin për vete e donte më shumë.
    Kur çlirimtarët përfunduan në burg, asnjë vizitë te ta s’e bëri, asnjë gur s’e lëvizi, edhe pse kishte pushtet absolut.
    Pushtetin e përdori për interesa të veta, në dëm të shtetit që ata e çliruan.

    E sot, kur historia ia dha edhe një mundësi për të shlyer një pjesë të gjynaheve dhe gabimeve të tij, ai sërish zgjedh pazarin: nuk dëshiron ta kalojë ligjin që mbron UÇK-në.

    Kur liria iu desh për vete, kërkoi zërin e çlirimtarëve. Kur çlirimtarëve u duhet veprimi i tij, ua kthen shpinën.
    Për të, edhe sakrifica për liri ka çmim në pazarin e pushtetit.

    E frikshme. E papranueshme. E patolerueshme.

    Për çdo pasojë të kësaj zvarritjeje, përgjegjësia politike është e jotja, Albin.

    Një cinik që ia di çmimin çdo gjëje, por vlerën asgjëje. Por cinizmi është strehë për mendjet e vogla.
    JO NË EMRIN TIM!

     

     

    Hamza thërret takim të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 11:55

    Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Grupi Parlamentar i kësaj partie do të zhvillojnë sot një mbledhje të përbashkët në ora 14:00, në selinë qendrore të PDK-së.

    Kjo është konfirmuar nga zyrtarë të kësaj partie.

    Ky takim vjen pas zhvillimeve të fundit politike dhe takimeve që Hamza dje i zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti.

    Hamza njoftoi se nuk kanë arritur marrëveshje me Kurtin dhe se ka edhe disa ditë mundësi për të ndodhë një gjë e tillë.

     

    Partitë ende pa marrëveshje: A po shkon Kosova drejt zgjedhjeve?

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 8:32

    Kosova ka hyrë në ditët vendimtare për zgjedhjen e presidentit të ri. Deri më 6 tetor partitë politike duhet të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, ndryshe vendi shkon në zgjedhje parlamentare.

    Pavarësisht se krerët e partive kanë deklaruar publikisht se nuk i duan zgjedhjet e reja, marrëveshje mes tyre ende nuk ka.

    Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së diel zhvilloi takime me dy liderët e partive opozitare, kreun e PDK-së, Bedri Hamza dhe kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Pas përfundimeve të takimeve, i vetmi që foli ishte Hamza, kurse Kurti e Abdixhiku heshtën, shkrua Reporteri.net.

    Të parin Kurti e takoi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ky takim nuk zgjati edhe shumë. Pasi përfundoi, Abdixhiku doli nga objetki i Qeverisë, por nuk foli për gazetarët.

    Më pas Kurti në Qeveri priti kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Ky takim zgjati më shumë se dy orë, por pa rezultat. Këtë e konfirmoi vet Hamza, para gazetarëve.

    Hamza tha se kërkesë e PDK-së është që Ligji për Specialen të aprovohet në dy lexime, dhe pastaj partia e tij në të njëjtën ditë është e gatshme të japë votat për presidentin.

    “Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit në dy lexime, aprovimi final i ligjit. Pastaj PDK është e gatshme që, në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojë, të japë zgjidhjen për presidentin dhe të japë votat për presidentin. Bisedat i kemi përfundu. Kemi edhe disa ditë ku kemi mundësi me arrit marrëveshje. Nuk e di a do të ndodhë marrëveshja”, deklaroi Hamza para mediave.

    Kujtojmë Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve, pas mungesës së një marrëveshjeje politike për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

    OVL ka thënë se nëse deri sot s’ka marrëveshje, nga e hëna do t’i përshkallëzojnë veprimet e tyre. /Reporteri.net/.

     

     

    Takimet për ligj e president: Kurti e Abdixhiku heshtin – Hamza konfirmon se s’ka marrëveshje

    Reporteri
    03 Tetor 2026 | 21:50

    Kryeministri Albin Kurti, gjatë ditës së diel zhvilloi takime me dy liderët e partive opozitare, kreun e PDK-së, Bedri Hamza dhe kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Pas përfundimeve të takimeve, i vetmi që foli ishte Hamza, kurse Kurti e Abdixhiku heshtën, shkrua Reporteri.net.

    Të parin Kurti e takoi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ky takim nuk zgjati edhe shumë. Pasi përfundoi, Abdixhiku doli nga objetki i Qeverisë, por nuk foli për gazetarët.

    Më pas Kurti në Qeveri priti kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Ky takim zgjati më shumë se dy orë, por pa rezultat. Këtë e konfirmoi vet Hamza, para gazetarëve.

    “Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit në dy lexime, aprovimi final i ligjit. Pastaj PDK është e gatshme që, në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojë, të japë zgjidhjen për presidentin dhe të japë votat për presidentin. Bisedat i kemi përfundu. Kemi edhe disa ditë ku kemi mundësi me arrit marrëveshje. Nuk e di a do të ndodhë marrëveshja”, deklaroi Hamza para mediave.

    Kujtojmë se këto takime po zhvillon kur Kuvendit i ka mbetur afat deri më 6 tetor për ta zgjedhur Presidentin e ri.

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve, pas mungesës së një marrëveshjeje politike për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

    OVL ka thënë se nëse deri nesër s’ka marrëveshje, nga e hëna do t’i përshkallëzojnë veprimet e tyre.

    Nëse partitë nuk gjejnë marrëveshje për presidentin, vendi shkon në zgjedhje të reja. /Reporteri.net/.

    OVL-UÇK thërret protestë të hënën para Kuvendit: Nëse deri nesër s’ka marrëveshje, do të përshkallëzojmë veprimet

    Reporteri
    03 Tetor 2026 | 20:53

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve, pas mungesës së një marrëveshjeje politike për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, shkruan Reporteri.net.

    OVL të UÇK-së i kanë bërë thirrje qytetarëve që të hënën, më 5 tetor, të mblidhen para Kuvendit të Kosovës, duke shprehur pakënaqësinë ndaj qasjes së pushtetit dhe, siç thonë ata, zvarritjes së kësaj çështjeje.

    “Nëse deri nesër nuk ka dakordim, nga e hëna veteranët e UÇK-së do t’i përshkallëzojnë veprimet e tyre”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i plotë:

    Pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje politike për votimin e menjëhershëm të plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, si dhe pas lojës së vazhdueshme politike e procedurale të Albin Kurtit me një çështje kaq të ndjeshme, durimi i veteranëve të UÇK-së dhe i qytetarëve të Kosovës po merr fund.

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i fton të gjithë qytetarët që të hënën, më 5 tetor, nga ora 12:00, të mblidhemi para Kuvendit të Kosovës për të shprehur pakënaqësinë ndaj kësaj qasjeje të papërgjegjshme të pushtetit.
    Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së janë thellësisht të indinjuara me qasjen e z.Kurt, i cili po bënë kalkulime politike edhe me dhimbjen, sakrificën dhe dinjitetin e qytetarëve të Kosovës.

    Afati për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe procedurale që do të mundësonte votimin e menjëhershëm të të dy leximeve të plotësimeve dhe ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale, për veteranët e UÇK-së është vetëm deri nesër, e diel.

    Nëse deri nesër nuk ka dakordim, nga e hëna veteranët e UÇK-së do t’i përshkallëzojnë veprimet e tyre.

    Ky pushtet, në vend që të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe ta adresojë qartë këtë çështje, po vazhdon të shtyjë, të kalkulojë dhe të abuzojë politikisht me një çështje që prek drejtpërdrejt mijëra familje dhe njerëz që bartin plagët e luftës.

    Veteranëve dhe qytetarëve të Kosovës u është shterur durimi.
    Të hënën, në ora 12:00, ju ftojmë të gjithëve para Kuvendit të Kosovës.

    Organizatorët e protestës: Kosova s’do ketë president të zgjedhur në krah të UÇK-së

    Reporteri
    03 Tetor 2026 | 20:14

    Edhe sonte, për herë të 18 radhazi është zhvilluar protestë në Prishtinë kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK’së.

    Organizatori i ‘Jo në emrin tim’’, Çlirim Haziri, ka thënë se identitet kombëtar, gjaku i dëshmorëve e UÇK’ja, është në tavolinën e Kuvendit.

    ‘’Sepse kërkesa jonë e 18 dite, identiteti jonë kombëtar sot ndodhet në tavolinën e këtij Kuvendi. Gjaku i dëshmorëve, UÇK’ja sot është në tavolinën e këtij kuvendi. Ne sot kemi ardh këtu për të iu thënë votojeni ligjin. Nuk do të mundin ta vendosin këtë ligj në bankën rezervë të politikës për politikat e tyre ditore e për pazare për president. Nuk do të ketë Kosova president të zgjedhur në krah të UÇK’së.”, ka deklaruar ai.

    Mërgimtarët protestojnë në Malmo: UÇK-ja është emri i lirisë së Kosovës

    Reporteri
    03 Tetor 2026 | 20:06

    Edhe në Malmo të Suedisë është mbajtur protestë kundër aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    Një numër bashkatdhetarësh kanë dalë në rrugët e qytetit dhe kanë marshuar duke mbajtur pankarta në duar, në të cilat shkruhej “UÇK – Luftë për Liri”.

    Gjatë protestës, njëri prej pjesëmarrësve ka marrë fjalën para të pranishmëve, duke folur për luftën e Kosovës dhe rolin e UÇK-së.

    “Historia e luftës së Kosovës nuk mund të barazohet me krimet e individëve dhe aq më pak me krimet e agresorit”, tha ai.

    Sipas tij, UÇK-ja nuk përfaqëson vetëm një emër, por një periudhë në të cilën, siç u shpreh, “populli i Kosovës luftonte për të drejtën e saj sublime, për të jetuar në vendin e vet të lirë”.

    “Dhe kjo liri, e fituar pas një shekulli robërie, e ka një emër. Ai emër është UÇK-ja. Rroftë UÇK-ja, UÇK, UÇK”, u shpreh ai.

    Protestuesit gjatë marshimit mbanin edhe flamurin kombëtar shqiptar dhe ishin të veshur me ngjyrat kuq e zi.

    Protestuesit kërkojnë nga Kuvendi votimin e ligjit

    Reporteri
    03 Tetor 2026 | 19:48

    Ka përfunduar protesta me kërkesën që Kuvendi të votoj Ligjin për Specialen.

    Pasi protestuan si çdo natë para Qeverisë dhe u mbajtën fjalimet, më pas protestuesit shkuan te hyrja e Kuvendit ku hynë deputetët dhe kërkuan që ata të votojnë Ligjin për Specialen.

    Më pas si çdo natë protestuesit u shpërndanë.

    Nis protesta

    Ka nisur protesta “Jo në emrin tim”, e cila po mbahet për të 18-ën natë radhazi.

    Protestuesit kanë shkuar te ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga deputetët miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    “Votoni ligjin”, është kërkesa kryesore e protestuesve, të cilët gjatë marshimit po brohorasin dhe mbajnë pankarta e simbole të UÇK-së.

    Njëherësh, edhe organizatori i protestës, Çlirim Haziri, u ka bërë sot thirrje deputetëve që, sa më shpejt, të votojnë ligjin për Specialen.

    Hamza pas takimit me Kurtin: Bisedat i kemi përfundu – kemi edhe disa ditë për të arritur marrëveshje

    Reporteri
    03 Tetor 2026 | 19:27

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është deklaruar pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se palët kanë zhvilluar bisedimet dhe se mbeten edhe disa ditë për të parë nëse mund të arrihet një marrëveshje.

    Hamza tha se kërkesa e PDK-së është që ligji për Gjykatën Speciale të miratohet në dy lexime dhe të marrë aprovimin përfundimtar.

    “Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit në dy lexime, aprovimi final i ligjit. Pastaj PDK është e gatshme që, në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojë, të japë zgjidhjen për presidentin dhe të japë votat për presidentin. Bisedat i kemi përfundu. Kemi edhe disa ditë ku kemi mundësi me arrit marrëveshje. Nuk e di a do të ndodhë marrëveshja”, deklaroi Hamza para mediave.

    Pas dy orësh përfundon takimi Kurti-Hamza

    Reporteri
    03 Tetor 2026 | 19:22

    Pas dy orësh, ka përfunduar takimi mes Bedri Hamzës dhe Albin Kurti.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, është parë teksa del nga objekti i qeverisë.

    Hamza s’është prononcuar për media.

    Kurti e Hamza ende në takim: A do të arrihet marrëveshje sot?

    Reporteri
    03 Tetor 2026 | 18:45

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, prej më shumë se dy orësh ndodhet në zyrën e kryeministrit Albin Kurti, ku po zhvillohet një takim mes dy liderëve.

    Takimi ka nisur rreth orës 17:00 dhe gati pas dy orësh, ende nuk ka përfunduar, shkruan Reporteri.net.

    Ky është takimi i dytë mes Hamzës dhe Kurtit brenda 24 orësh. Ata ishin takuar edhe të premten, por takimi i parë përfundoi pa një marrëveshje.

    Nuk dihet ende nëse takimi i sotëm do të prodhojë ndonjë marrëveshje apo dakordim mes palëve.

    Pas përfundimit të takimit pritet të shihet nëse Hamza dhe Kurti do të deklarohen për media apo jo.

     

    Gruda sqaron çfarë parashikojnë ndryshimet për Ligjin e Speciales

    Reporteri
    03 Tetor 2026 | 17:52

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka dhënë sqarime lidhur me nismën e partisë së tij për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Gruda ka reaguar ndaj diskutimeve se, pas miratimit të ndryshimeve të propozuara, ligji mund të dërgohet për shqyrtim në Dhomën e Specializuar Kushtetuese në Hagë dhe eventualisht të shfuqizohet.

    Ai tha se në projektligjin e propozuar është përcaktuar shprehimisht se Dhoma e Specializuar Kushtetuese në Hagë nuk ka kompetencë për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjit.

    Postimi i tij:

    Po shoh shumë reagime lidhur me mundësinë që, pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, ligji të dërgohet në Dhomën e Specializuar Kushtetuese në Hagë dhe eventualisht të shfuqizohet.

    Po e sqaroj: me ndryshimet që kemi propozuar në ligj, Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese i është hequr shprehimisht kompetenca për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjit, në çfarëdo forme.

    Amendamenti nr. 24 i Kushtetutës përcakton:

    “Një Dhomë e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, e përbërë nga tre (3) gjyqtarë ndërkombëtarë të emëruar shtesë krahas gjyqtarëve të referuar sipas Nenit 114 (1), do të vendosë ekskluzivisht mbi referimet kushtetuese sipas Nenit 113 të Kushtetutës në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në përputhje me ligjin e veçantë.”

    Pra, vetë dispozita kushtetuese e lidh ushtrimin e këtij juridiksioni me ligjin e veçantë.

    Pikërisht mbi këtë bazë, me nenin 23 të projektligjit tonë e kemi përcaktuar shprehimisht kufirin e juridiksionit të Dhomës Kushtetuese në Hagë. Neni 23 përcakton se ajo vendos vetëm për referimet kushtetuese që burojnë nga vendimet, urdhrat ose aktgjykimet e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Më tej, dispozita thotë shprehimisht se ajo “nuk ka juridiksion për kontrollin abstrakt (paraprak), konkret dhe incidental të kushtetutshmërisë së ligjeve ose Ligjit Nr. 05/L-053”.

    Madje, për ta bërë çështjen krejtësisht të qartë, në nenin 23 kemi përcaktuar se kontrolli i kushtetutshmërisë së këtij ligji, si dhe i ligjeve me të cilat ndryshohet, plotësohet ose shfuqizohet Ligji Nr. 05/L-053, ushtrohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë, në pajtim me nenin 113 të Kushtetutës.

    Prandaj, sipas ndryshimeve të propozuara, Dhoma Kushtetuese në Hagë nuk do të ketë juridiksion për ta kontrolluar apo shfuqizuar këtë ligj. Ajo nuk është një Gjykatë Kushtetuese e veçantë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por një Dhomë e Specializuar me juridiksion të posaçëm. Kontrolli kushtetues i akteve të Kuvendit, përfshirë këto ndryshime ligjore, i mbetet Gjykatës Kushtetuese në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë.

    Fillon takimi Kurti-Hamza, në fokus Ligji për Specialen dhe zgjedhja e presidentit

    Reporteri
    03 Tetor 2026 | 16:59

    Kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, po zhvillojnë takim.

    Pritet që në takim të diskutohen zgjedhja e presidentit dhe Ligji për Specialen.

    Hamza e konfirmoi pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar se takimi me Kurtin do të nis në ora 16:30 dhe se do të flitet për këto dy tema.

    “Fillimisht duhet të aprovohet ligji dhe po e ritheksoj, të aprovohet në të gjitha nivelet, në dy leximet dhe në të gjitha komisionet”, tha Hamza.

    Ai ka deklaruar se pas përfundimit të këtij procesi, PDK-ja është e gatshme të diskutojë për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

    “Ne jemi të hapur që të bisedojmë për çështjen e presidentit. Ne besojmë që ligji duhet të aprovohet, vendi duhet të ketë president, e më pas të kthehemi në obligimet tona si deputetë”, u shpreh kreu i PDK-së.

    Hamza përfundon takimin në PDK: Ligji duhet me u aprovu, po shkoj në takim te Kurti

    Reporteri
    03 Tetor 2026 | 16:43

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se do të takohet sërish me kryeministrin Albin Kurti. Lajmin e ka konfirmuar Hamza pas përfundimit të takimit me Grupin Parlamentar të PDK-së që u mbajt sot.

    Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka përfunduar mbledhjen në selinë e kësaj partie, ndërsa pas takimit ka folur kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

    Hamza ka thënë se qëndrimi i PDK-së për këtë çështje mbetet i pandryshuar. Sipas tij, fillimisht duhet të përfundojë procesi i miratimit të ligjit në Kuvend, në të gjitha fazat dhe komisionet përkatëse.

    “Fillimisht duhet të aprovohet ligji dhe po e ritheksoj, të aprovohet në të gjitha nivelet, në dy leximet dhe në të gjitha komisionet”, tha Hamza.

    Ai ka deklaruar se pas përfundimit të këtij procesi, PDK-ja është e gatshme të diskutojë për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

    “Ne jemi të hapur që të bisedojmë për çështjen e presidentit. Ne besojmë që ligji duhet të aprovohet, vendi duhet të ketë president, e më pas të kthehemi në obligimet tona si deputetë”, u shpreh kreu i PDK-së.

    Hamza bëri të ditur se pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PDK-së do të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar lidhur me këto çështje.

    Abdixhiku del nga takimi me Kurtin, nuk flet nëse pati ndonjë marrëveshje

    Reporteri
    03 Tetor 2026 | 16:35

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dalë nga takimi që pati me kryeministrin Albin Kurti.

    Abdixhiku nuk ka fol para gazetarëve për tëtreguar se çfarë ka biseduar me Kurtin dhe nëse kanë arritur apo jo ndonjë marrëveshje.

    Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut u zhvillua një ditë pas takimit të kryeministrit me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Edhe nga takimi Kurti-Hamza nuk pati ndonjë marrëveshje konkrete.

    Kujtojmë se këto takime po zhvillon kur Kuvendit i ka mbetur afat deri më 6 tetor për ta zgjedhur Presidentin e ri.

    Nëse partitë nuk gjejnë marrëveshje për presidentin, vendi shkon në zgjedhje të reja.

    Kurti dhe Abdixhiku po zhvillojnë takim në Kuvend

    Reporteri
    03 Tetor 2026 | 16:16

    Kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, aktualisht po zhvillojnë takim në Kuvendin e Kosovës.

    Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

    Nuk dihet saktësisht temat, por të pashmangshme janë dy temat kyçe, zgjedhja e presidentit dhe Ligjin për Specialen.

    Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është 6 gushti.

    Ligji për Specialen, mblidhet Grupi Parlamentar i PDK-së

    Reporteri
    03 Tetor 2026 | 15:42

    Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) është mbledh për të diskutuar hapat e mëtejmë lidhur me nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Takimi është duke u mbajtur në selinë PDK-së.

    Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra.

    “Mbledhja e Grupit Parlamentar të PDK-së është duke u mbajtur”, ka thënë Deliu Kodra për KosovaPress.

    Qeveria ka miratuar mbrëmë Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara i propozuar nga Partia Demokratike të Kosovës-ja. Ky veprim i Qeverisë është mirëpritur nga PDK-ja.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!