Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, janë duke zhvilluar një takim në ambientet e Kuvendit të Kosovës, mëson Gazeta Online Reporteri.net nga burimet e saj.
Takimi po zhvillohet në përpjekje për të arritur një marrëveshje politike për dy çështjet që kanë dominuar diskutimet mes palëve ditëve të fundit: ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Takimi i sotëm vjen pasi Kuvendi votoi në lexim të parë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kryeministri Kurti deklaroi gjatë seancës se Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë Projektligjin në lexim të parë, ndonëse tha se partia e tij nuk është e bindur për dobinë e ndryshimeve të propozuara.
Në anën tjetër, Hamza ka insistuar që ndryshimet në Ligjin për Specialen të miratohen në tërësi, përfshirë leximin e dytë, përpara se PDK-ja të japë votat për zgjedhjen e presidentit.
“Ne po themi me u aprovu ligji në dy leximet, pastaj me u propozu emri për president dhe me u zgjedhë presidenti e me u shmang zgjedhjet”, kishte deklaruar Hamza.
Kurti dhe Hamza kanë zhvilluar disa takime gjatë ditëve të fundit pikërisht për këto dy çështje. Pas njërit prej takimeve, Hamza kishte thënë se PDK-ja kërkon aprovimin final të Ligjit për Specialen dhe se më pas është e gatshme që në të njëjtën seancë të japë zgjidhje edhe për çështjen e presidentit.
Takimi i sotëm po zhvillohet në një situatë të tensionuar edhe jashtë Kuvendit, ku po protestohet lidhur me çështjen e ish-krerëve të UÇK-së dhe Gjykatën Speciale.