Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, u ka bërë thirrje qytetarëve që po protestojnë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që të vazhdojnë protestat dhe t’u bashkohen organizatorëve, në mënyrë që të kërkohet miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Musliu, përmes një videoje të publikuar nga Kuvendi, ka thënë se deputetët e PDK-së po qëndrojnë në sallën e Kuvendit me të njëjtin qëllim si protestuesit në rrugë.
“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, ashtu siç po qëndroni ju tash e tri javë ditë në rrugët e Kosovës e në metropolet e botës, ashtu po qëndrojmë edhe ne në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës me të vetmen kërkesë dhe të vetmin qëllim: për të votuar ligjin për dhomat e specializuara të Kosovës.
Ne e dimë që jemi pak, jemi vetëm 22 deputetë, por sa më shumë që ju jeni në rrugë, aq më të fortë do të bëhemi ne brenda sallës.
Prandaj, ju ftojmë për përkrahje, ju ftojmë t’ju bashkangjiteni organizatorëve të protestës dhe një zëri të kërkojmë të drejtën tonë për të mbrojtur luftën e lavdishme të ushtrisë çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Musliu.