Pas përfundimit të takimit me kryeministrin Albin Kurti, kryetari i PDK-së, siç merr vesh Gazeta Online Reporteri.net, Bedri Hamza, ka mbledhur Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.
Takimi i Grupit Parlamentar vjen menjëherë pas bisedës që Hamza zhvilloi me Kurtin në ambientet e Kuvendit, e cila zgjati më shumë se një orë.
Në takimin mes Kurtit dhe Hamzës janë diskutuar dy çështjet që kanë dominuar zhvillimet politike të ditëve të fundit: ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhja e presidentit të Kosovës.
PDK-ja ka insistuar që Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratohet në të dyja leximet, ndërsa më pas të procedohet me zgjedhjen e presidentit.
Ende nuk ka informacione për përmbajtjen e bisedës mes Kurtit dhe Hamzës apo nëse është arritur ndonjë pajtim.
Tashmë mbetet të shihet se çfarë qëndrimi do të marrë Grupi Parlamentar i PDK-së pas takimit të kryetarit të partisë me Kurtin.