Është arrestuar një person i kërkuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, lidhur me një rast të periudhës së luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti lidhet me periudhën maj-qershor të vitit 1998 në Skenderaj, ndërsa koha e saktë e veprës nuk është bërë e ditur.
“Krime lufte kundër popullatës civile – Skenderaj Maj-Qershor 1998 – Koha NN. Pas një pune hetimore është arrestuar i kërkuari mashkull kosovar i cili ka qenë në kërkim policor për veprën e lartcekur”, thuhet në njoftimin policor.
Pas arrestimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Policia nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me veprën për të cilën dyshohet personi i arrestuar apo rrethanat konkrete të rastit.