Ka vdekur gruaja e cila ishte lënduar rëndë nga djali i saj më 6 shtator në Poterq të Klinës.
Viktima ka vdekur të hënën derisa po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Klinë 06.09.2026-18:30. Lidhur me rastin, me 05.10.2026 në QKUK , ka ndërruar jetë viktima femër kosovare”, thuhet në raportin policor.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti nga Policia është cilësuar si “vrasje e rëndë”.
Ngjarja pati ndodhur në fshatin Poterq, ku i dyshuari, sipas raportimeve të Policisë, fillimisht dyshohet se i kishte vënë flakën krevatit në të cilin ndodhej motra e tij. Ajo kishte pësuar djegie të rënda dhe, pavarësisht trajtimit në QKUK, ka vdekur pak kohë pas ngjarjes.
Ai dyshohej se ka sulmuar me mjet të fortë edhe nënën e tij, e cila ishte dërguar për trajtim në QKUK, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka vdekur më 5 tetor.
I dyshuari ishte ndaluar fillimisht për 48 orë, ndërsa për shkak të gjendjes së rënduar psikike ishte dërguar në repartin e psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Pejës, nën përkujdesjen e personelit mjekësor dhe mbikëqyrjen e zyrtarëve policorë.