Duke përdorur teleskopin hapësinor James Webb të NASA-s, astronomët po studiojnë sisteme të trazuara planetare, ku botët përplasen në mënyrë të dhunshme. Ky hulumtim mund të ndihmojë në kuptimin e mënyrës se si janë formuar planetët, përfshirë Tokën dhe Hënën.
Shkencëtarët po fokusohen te të ashtuquajturit disqe ekstreme mbetjesh, sisteme të rralla rreth yjeve të rinj që përmbajnë sasi të mëdha pluhuri të nxehtë. Vlerësohet se këto sisteme ekzistojnë rreth vetëm një për qind të yjeve, shkruan space.
Ekipi hulumtues analizoi 21 disqe të tilla duke përdorur të dhënat e teleskopit James Webb dhe të teleskopit tashmë të pensionuar Spitzer. Studiuesit identifikuan tri karakteristika të përbashkëta: grimca më të imta pluhuri, përqendrim të lartë të pluhurit të nxehtë dhe ndryshime të parregullta në shkëlqimin e tyre.
Analiza e mineraleve tregoi se disqet mund të ndahen në dy kategori, në varësi të përmbajtjes së silicit. Shkencëtarët besojnë se disqet e pasura me silic krijohen nga përplasjet shumë energjike mes trupave me madhësi të ngjashme me Marsin, ku pjesa më e madhe e materialit avullon.
Ndërkohë, disqet me më pak silic duket se krijohen nga përplasje më pak energjike, kur trupa afërsisht me madhësinë e Hënës kalojnë pranë njëri-tjetrit dhe përplasen pjesërisht.
Rreth një e treta e disqeve të analizuara ishin të pasura me silic dhe u gjetën vetëm rreth yjeve më të rinj se 300 milionë vjet. Këto të dhëna mund të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë fazat e hershme të formimit të sistemeve planetare.
Studimi mund të hedhë dritë edhe mbi historinë e Sistemit Diellor. Shkencëtarët besojnë se Toka dhe planetët e tjerë shkëmborë u formuan gjatë qindra milionë viteve të para pas krijimit të Diellit, ndërsa Toka dhe Hëna mendohet se u formuan rreth 100 milionë vjet pas tij.
Një nga skenarët që lidhet me këtë periudhë është përplasja hipotetike mes Tokës së hershme dhe një trupi me madhësinë e Marsit, të quajtur Theia. Sipas teorisë kryesore, kjo përplasje hodhi material në hapësirë, i cili më pas u bashkua dhe formoi Hënën.
Sipas astronomëve, studimi i këtyre sistemeve të largëta u mundëson të kuptojnë më mirë se si u formuan planetët shkëmborë dhe si evoluuan sistemet planetare, përfshirë Sistemin tonë Diellor.