Kalo te përmbajtja
Reklamë

Instant

Orët e fundit të afatit për Presidentin: Pas pak Kurti del përsëri në konferencë, e dyta sot

Reporteri 2 min lexim

Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti do të mbajë konferencë për media, sonte në orën 19:45.

Kjo është konferenca e dytë e Kurtit brenda ditës së sotme, pas asaj të orës 15:00, në të cilën polimizoi në distancë me Kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.

Në konferencën e parë, shefi i ekzekutivit shpalosi një “ofertë” për PDK-në.

Reklamë

“Nëse PDK-ja zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër e kemi bashkë me LDK-në, atëherë po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Kërkojmë që të zotohen para jush. Ata mund të votojnë edhe kundër. Sa herë kanë kërkuar prej nesh, ne kemi qenë të gatshëm për votën për, e ne po e kërkojmë gjysmën e tyre kundër”, tha Kurti.

Por, profesori i Juridikut, Bekim Sejdiu, ka thënë se mbetet në fuqi vendimi për t’u tërhequr nga gatishmëria për të qenë kandidat për president, por nuk ka treguar se si do të veprojë në rast se do të siguroheshin votat për të.

“Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj vetën pjesë të procesit të zgjedhjes së presidentit, për arsye të mos arritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.

Kurit i është kundërpërgjigjur edhe Bedri Hamza. Ai ka insistuar se vota për ndryshimet ligjore për Specialen nuk mund të kushtëzohet me votën për presidentin.

“Marrëveshja për Sejdiun nuk është me PDK-në. Është me një subjekt tjetër politik. As nuk kam vërejtje për Sejdiun, por është marrëveshje jashtë PDK-së. Po t’i kërkoj 10 deputetë, 11 atëherë edhe unë po t’i kërkoj ty 29. Sillni në sallë qysh do le të votojnë, por nuk shkojnë kështu. Nëse duam ta bëjmë ligjin, sjelli 29 deputetë në sallë, le të votojnë për a kundër ose edhe abstenim. Në orët e fundit nuk mundesh të imponosh marrëveshje”, tha Hamza.

Reklamë

Sipas Hamzës, zgjedhjet e reja janë projekt i Vetëvendosjes.

Afati për zgjedhjen e presidentit të ri mbaron sonte në mesnatë.

Live: përditësimet e fundit

9 përditësime · 24 orët e fundit
  1. Reklamë

    Reporteri

    Hamza refuzon Kurtin: Jo president pa marrëveshje

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza e ka quajtur joserioze për vendin atë se çka deklaroi kryeministri i vendit, Albin Kurti për çështjen e presidentit.

    Kryeministri Albin Kurti njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para pak minutash doli me propozim të ri për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Emrat e propozuar nga Kurti janë Glauk Konjufca e Feride Rushiti – emra të cilët i kishte propozuar edhe para zgjedhjeve të cilët ishin mbajtur më 7 qershor.

    Hamza ka thënë se Ligji duhet të kalojë por edhe për çështjen e presidentit duhet të ketë marrëveshje.

    “Sa ka seriozitet në këtë punë kur vetëm sot ka që tri-katër herë qëndrime të ndryshme. LDK-së i thotë nuk ka mundësi të ketë president politikë ndërsa vetë propozon emra politikë. Janë këta emra që nuk kanë kaluar që sa kohë. Për të cilët s’ka pasur marrëveshje. Ligji duhet të kalojë, presidenti ka mund të zgjidhet por jo president pa marrëveshje. Jo ky është presidenti merre ose lëre. Pse s’ka qenë kjo lloj bisede në takimet e tjera, pse ska qenë sot paradite”, ka thënë Hamza në konferencën për media, pas asaj të Kurtit.

    Hamza ka thënë se propozimi i bërë nga Kurti për postin e presidentit, Feride Rushiti, është Vetëvendosje.

    “Nuk e di a ka librezën apo jo, mendoj se është Vetëvendosje. Nuk e di a ka librezë, ndoshta nuk e ka. Por, është Vetëvendosje. A është një propozim i bërë bashkë me ne? Çdo propozim që e bëjë unë pa marrëveshje, është vetëm propozim i yni. Nuk është edhe i palës tjetër. Si është propozim vetëm i yni, mund të jetë me librezë apo pa librezë, por i yni është”, tha Hamza.

    Hamza ka thënë se PDK-ja ka emra të denjë që mund ta kryejnë punën e presidentit.

    E ai ka thënë se po shihet se qëllimi i kryeministrit Albin Kurti është qysh me kap edhe postin e presidentit.

    Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Nëse deri në mesnatë nuk zgjidhet një president i ri, Kosova do të shkojë në ciklin e katërt zgjedhor brenda dy vjetësh. E edhe sot jashtë Kuvendit janë ftuar protesta në kërkim të miratimit në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen.

    Mbrëmë protestat përshkallëzuan në përplasje me Policinë.

    Ndërkohë Albulena Haxhiu, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatin gjashtëmujor të saj si ushtruese e detyrës së presidentit, në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e ri sot.

    Hape si lajm
  2. Reklamë

    Reporteri

    Oferta e re e Kurtit për Hamzën, vjen reagimi i parë nga PDK-ja

    Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar pas konferencës së fundit të kryeministrit, Albin Kurti, lidhur me zhvillimet për zgjedhjen e presidentit.

    “Edhe hileqar, edhe i poshtër, edhe i dehur!”, ka shkruar Behrami.

    “Glauk Konjufca është platforma e përhershme e Albin Kurtit për të shkuar në zgjedhje”, shkruan deputeti i PDK-së në një tjetër reagim në Facebook.

    Reagimet e tij vijnë pasi Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dalë me propozim të ri për Partinë Demokratike të Kosovës, kur kanë mbetur edhe më pak se katër orë para se Kosova të shkojë në zgjedhje të reja.

    Kurti ka thënë se janë të gatshëm ta votojnë së pari në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, në rast se PDK-ja zotohet se do të marrë pjesë në votimin për president.

    Emrat e propozuar nga Kurti janë Glauk Konjufca e Feride Rushiti – emra të cilët i kishte propozuar edhe para zgjedhjeve të cilët ishin mbajtur më 7 qershor.

    Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se do t’ua votojnë ligjin në lexim të dytë nëse PDK mendojnë se përbën problem mosrespektimi i afatit 72-orësh mes dy leximeve.

    “Propozimi më i ri është ky: meqë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nuk po arrin të takohet me ne, le të dalë publikisht sonte dhe të zotohet se i gjithë grupi parlamentar i PDK-së do të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit – qoftë për, abstenim apo kundër. Pas këtij zotimi, ne ua votojmë leximin e dytë të ligjit, nëse ata mendojnë se nuk përbën problem mosrespektimi i afatit 72-orësh mes dy leximeve. Ne ua votojmë ligjin dhe menjëherë pas kësaj kalojmë në votimin për presidentin”, ka thënë Kurti.

    Hape si lajm
  3. Reklamë

    Reporteri

    Bekim Sejdiu reagon sërish: E kam njoftuar Kurtin, s’jam pjesë e procesit për zgjedhjen e presidentit

    Bekim Sejdiu ka njoftuar edhe zyrtarisht se është tërhequr nga kandidatura për President.

    Sejdiu shkroi në Facebook se pasi njoftoi tërheqjen në shtator, e ka konsideruar të domosdoshme ta sqarojë dhe ta konfirmojë atë qëndrim, pasi kryeministri Albin Kurti e përmendi sërish mundësinë që ai të zgjidhet në pozitën e shefit të shtetit, duke i kërkuar PDK-së vota për të.

    “Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, të dashur miq! E konsideroj të domosdoshme të sqaroj qëndrimin tim, pas përmendjes së emrit tim si kandidat për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës. Më datë 14 shtator, unë kam njoftuar tërheqjen time nga procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, për shkak të pamundësisë së realizimit të marrëveshjes LDK-LVV, dy partitë që më kanë propozuar dhe mbështetur në këtë proces. Kjo për shkak të qëndrimit të dy partive të tjera opozitare dhe 6 deputetëve të LDK-së. Siç e kam theksuar kur e kam pranuar kandidaturën për postin e Presidentit e vetmja arsye dhe i vetmi motiv që më ka nxitur të marrë përsipër këtë barrë, ka qenë interesi i vendit dhe përpjekja për të ndihmuar në daljen nga kriza”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    Sejdiu shprehu falënderim për liderët politikë që “kanë vazhduar të besojnë” se ai është “kandidat i denjë për pozitën e kreut të shtetit”.

    “Së fundi, emri im është përfshirë përsëri në diskutimet për gjetjen e një kandidati për President të vendit. Dëshiroj që më sinqeritetin më të madh të falënderoj ata liderë politik që kanë vazhduar të besojnë se unë jam kandidat i denjë për pozitën e kreut të shtetit, sidomos në një situatë të ndjeshme si periudha nëpër të cilën po kalojmë”, tha ai.

    Ditëve të fundit, Sejdiu tha se ka qenë “në komunikim të vazhdueshëm me krerët e LDK-së”, duke qenë se, siç tha fillimisht ka qenë i ftuar nga kjo parti kur i është ofruar posti i Presidentit.

    “Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe Kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj vetën pjesë të procesit të zgjedhjes së Presidentit, për arsye të mos arritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend. Kryeministrin Kurti dhe Kryetarin Abdixhiku i kam falënderuar për besimin ndaj meje dhe korrektësinë në komunikimin më mua. Dëshiroj që këtë falënderim ta përsëris edhe në këtë rast. Poashtu, e vlerësoj konsideratën personale të shprehur ndaj meje nga shumë politikanë të partive të tjera. Shprehë mirënjohjen më të sinqertë për të gjithë kolegët, miqtë dhe shumë personalitete nga jeta akademike dhe përtej saj, që më kanë shprehur mbështetjen e tyre”, shkroi ai.

    Në fund, Sejdiu shprehu dhimbjen e tij, që tha se po e përjeton për “ankthin dhe zhgënjimin që po e përjeton Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj”.

    “Nuk mund të përmbyllë këtë postim pa shprehur dhimbjen time personale për ankthin dhe zhgënjimin që po përjeton Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj. Lë të jenë këto momente reflektimi për të gjithë, përtej inateve të ngushta dhe interesave personale”, shkroi ai.

    Hape si lajm
  4. Reklamë

    Reporteri

    Murati: Le të thotë po Bedri Hamza, Kurti e Abdixhiku e bindnin Bekim Sejdiun

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, kritikoi mediat për “nxitim” pasi iu drejtuan profesorit Bekim Sejdiu për përgjigje pasi kryeministri Albin Kurti i bëri ofertë PDK’së me emrin e Sejdiut për President.

    Ai tha se fillimisht u desh të merrnin qëndrimin e kryetarit të PDK’së, Bedri Hamza, për ofertën që ia bëri Kurti dhe se më pas Sejdiun do ta bindnin Kurti e kryetari i LDK’së.

    “Disa medie u nxituan që ta rikonfirmojnë tërheqjen e Prof. Bekim Sejdiut për President të Republikës në vend se ta marrin përgjigjen nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, për ofertën e re të Kryeministrit Kurti: edhe me vetëm gjysmën e grupit parlamentar të PDK-së që e votojnë qoftë edhe kundër Bekim Sejdiun për President, ne i japim votat tona për Projektligjin mbi Gjykatën Speciale në lexim të dytë! Të dashur gazetarë, pyeteni së pari Hamzën”.

    “Le të thotë Bedri Hamza PO, dhe sigurisht që me Prof. Bekim Sejdiun mund të shkojnë e flasin Kurti e Abdixhiku për ta bindur që të mos shkojë vendi në zgjedhje të reja”.

    Hape si lajm
  5. Reklamë

    Reporteri

    Kurti: Nëse do t’i kishim mbi 80 vota, s’besoj që Bekim Sejdiu do të thoshte “jo s’dua ta shpëtoj Kosovën”

    Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar mbështetjen e PDK’së për votimin e Presidentit në këmbim të votave të Vetëvendosjes për Ligjin për Specialen.

    I pyetur për tërheqjen e kandidaturës për President nga Bekim Sejdiu, Kurti foli me bindje se ai s’do të refuzonte “ta shpëtonte” Kosovën nëse do të ishin mbi 80 vota.

    “Nëse PDK është kundër, thuaje këtë me votë. Votoni kundër, veç votoni. Bekim Sejdiu doli me ne në konferencë bashkë. Ishte dakord të zgjidhej president. Le të votojnë kundër, ose le të abstenojnë, por le të vijnë. Një votë të tillë të përbashkët, në një situatë të tillë vështirë që edhe profesor Sejdiu do të thoshte” jo nuk dua ta shpëtoj Kosovën nga zgjedhjet e reja të panevojshme”.
    Kurti tha se ai u tërhoq në mungesë të mbështetjes.

    “Mirëpo, ai është tërhequr kur prej 80 ra në 74. Bekim Sejdiu, i cili ka qenë i gatshëm, të cilin e falënderoj shumë, t’i hyjë kësaj ndërmarrje me vetëm 80 vota ku nëse mungon një bie i gjithë projekti. Tash kur ne do t’i thoshim se jemi mbi 80, nuk besoj se ai do të thoshte jo shkoni ju në zgjedhje se mua nuk më intereson se tash i keni bërë më shumë se 80”.

    “Nuk mund ta thërras nëse nuk e kemi një situatë të tillë. Unë po kërkoj prej PDK’së, kolegut tim, Bedri Hamzës, që publikisht të zotohet që së paku gjysma e grupit parlamentar të PDK’së vijnë dhe e ka të përmbyllur menjëherë nga ana jonë leximin e dytë”.

    Hape si lajm
  6. Reklamë

    Reporteri

    Kurti i kërkoi votat e PDK-së për të, Bekim Sejdiu: Jam tërhequr nga gara

    Pavarësisht se në konferencën e sotme Albin Kurti përdori sërish emrin e profesor Bekim Sejdiut duke i kërkuar marrëveshje PDK-së e Bedri Hamzës për Sejdiun president, ky i fundit ka konfirmuar për Gazetën Infokus se nuk është më pjesë e garës për këtë post.

    Profesor Sejdiu ka bërë të ditur se për vendimin e tij i ka njoftuar sërish krerët e LDK-së, por edhe vetë kryeministrin Albin Kurti, duke ua bërë të qartë se është tërhequr nga procesi për zgjedhjen e presidentit.

    “Unë i kam njoftuar, kam qenë në komunikim me krerët e LDK-së edhe i kam njoftuar së fundi edhe krerët e LDK-së edhe kryeministrin Kurti që unë nuk jam pjesë e këtij procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Unë kam hy me idenë kur kam hy në fillim të shtatorit, me motivin e vetëm që me dal prej një ngërçi, por nuk u realizua sepse nuk u bënë votat edhe rrjedhimisht unë kam bërë një herë tërheqje publike edhe tash normalisht emrin me ma përmend s’mundem me ia ndalu askujt. Edhe e di që e bëjnë me qëllimin më të mirë të mundshëm, e di që kanë besim në mua, por unë i kam informuar që unë jam i tërhequr nga kjo garë”, ka deklaruar Sejdiu.

    Ai ka treguar se në proces kishte hyrë në një kombinim politik ku LDK-ja do të ishte propozuese, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje mbështetëse, duke shtuar se komunikimet kryesore i kishte zhvilluar me drejtuesit e LDK-së.

    “Unë ju kam thënë që jam i tërhequr, unë nuk jam i informuar. Unë kur kam hyrë me LDK-në si propozuese, VV-në si mbështetëse, me qat konspiracion kam hyrë dhe kryesisht i kam bërë komunikimet me drejtues të LDK-së që më kanë propozu e më kanë thirr mua me hy në këtë proces. E çmoj shumë edhe besimin e kryeministrit Kurti, por unë i kam njoftuar se jam tërhequr nga gara, ju kam treguar se nuk jam pjesë e garës”, ka thënë ai.

    Sejdiu ka treguar se është i gatshëm t’ua dërgojë drejtuesve të LDK-së edhe mesazhin përmes të cilit i kishte njoftuar për qëndrimin e tij. Ai ka theksuar se nuk e konsideron të denjë që dikush të zgjidhet president vetëm për të shmangur zgjedhjet dhe se posti duhet t’i takojë dikujt që e meriton.

    “Nëse dojnë këta të LDK-së, mundem me ua dërgu edhe mesazhin që ua kam dërguar dhe unë ju kam thënë kështu: më së pari nuk konsideroj që është e denjë me u zgjedh president dikush që zgjedhet vetëm me i shmang zgjedhjet, president duhet të zgjedhet dikush që e meriton atë pozitë. Dhe dmth as me ndërlidhjen me tema të tjera që janë të rëndësishme për këtë vend. E dyta, unë kam hyrë në një kombinim politik LDK-VV dhe e kisha mirëprit përkrahjen e të gjithëve. Partitë politike në përgjithësi kanë pasë fjalë të mira për mua si kandidat dhe e çmoj edhe faktin se edhe një pjesë e gazetarëve dhe opinionit publik kanë pasur vlerësim pozitiv për mua. Mirëpo, meqë unë nuk i kam pasur votat, unë jam tërheq nga kjo garë. Për më tepër, në këtë proces me kaq shumë drama, unë nuk kam qenë në Kosovë fare këto ditë. E çmoj shumë besimin dhe vlerësimin nga të gjithë, por unë nuk jam më pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar Bekim.

    Deklarimi i Sejdiut vjen pasi emri i tij është rikthyer në diskutimet për zgjedhjen e presidentit, ndërsa ai këmbëngul se LDK-ja dhe kryeministri Kurti janë njoftuar drejtpërdrejt prej tij se është tërhequr nga gara dhe nuk është më pjesë e procesit.

    Kurti emrin e Sejdiut e përmendi edhe sot në konferencë në ditën e fundit kur kanë mbëtur edhe pak orë në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

    Bekim Sejdiu është tërhequr nga kandidatura për president të Kosovës më 14 shtator, pasi kishte vlerësuar se nuk ekzistonte mbështetja e nevojshme parlamentare për zgjedhjen e tij.

    Tërheqja e Sejdiut kishte ndodhur pasi ai ishte propozuar si kandidat konsensual nga LDK-ja dhe LVV-ja, por gjashtë deputetë të LDK-së kishin thënë se nuk do ta votojnë.. Për vendimin, ai kishte njoftuar paraprakisht përfaqësuesit e të dyja partive.

    “Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si President dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, kishte njoftuar Sejdiu më 14 shtator.

    Megjithatë, emri i tij u rikthye sot në skenën politike nga kryeministri Albin Kurti, i cili bëri një ofertë të re për PDK-në, duke kërkuar që së paku gjysma e deputetëve të saj të mbështesin Sejdiun në procesin për zgjedhjen e presidentit.

    Kurti deklaroi se, në këmbim të kësaj mbështetjeje, LVV-ja do të procedonte me votimin në lexim të dytë të projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

     

    Hape si lajm
  7. Reklamë

    Reporteri

    Kurti kërkon gjysmën e votave të PDK-së për Bekim Sejdiun

    Kryeministri Albin Kurti ka bërë një ofertë të re ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, duke propozuar që PDK-ja të sigurojë së paku gjysmën e votave të grupit të saj parlamentar për Bekim Sejdiun në garën për president, ndërsa Vetëvendosje të procedojë me votimin e dytë të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Kurti tha se pjesën tjetër të votave për Sejdiun e kanë të siguruar përmes mbështetjes së LDK-së dhe se, nëse PDK-ja merr përsipër të sigurojë gjysmën e grupit të saj parlamentar për këtë kandidaturë, atëherë do të procedohet me leximin e dytë të projektligjit.

    “Ne po e bëjmë edhe një ofertë shtesë e konkrete. Nëse PDK-ja zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për profesor Bekim Sejdiun, atëherë ne po procedojmë me votimin në leximin e dytë”, tha Kurti.

    Ai kërkoi nga PDK-ja që të deklarohet publikisht për këtë propozim, duke thënë se aktualisht nuk po mund të zhvillojnë takime të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e saj.

    Sipas Kurtit, deputetët e PDK-së nuk do të duhej domosdoshmërisht ta votonin Sejdiun, por të paktën të merrnin pjesë në seancë dhe të votonin edhe kundër tij, në mënyrë që të plotësohej kushti i vendosur.

    “Meqenëse s’po mund t’i takojmë më, të zotohen para jush se së paku gjysmën e grupit parlamentar mund të na i sjellin në seancë e të votojnë qoftë edhe kundër për Bekim Sejdiun”, tha Kurti.

    Oferta e re vjen pas takimit të mbrëmshëm mes Kurtit dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, i cili përfundoi pa marrëveshje.

    Ndërkohë, para objektit të Qeverisë kanë vazhduar të qëndrojnë protestues që kërkojnë miratimin përfundimtar të projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Projektligji është miratuar dje në lexim të parë në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, ndërsa PDK-ja po kërkon që procedura të përmbyllet sa më shpejt me votimin në lexim të dytë.

    Protesta e mbrëmshme në Prishtinë eskaloi pas ndërhyrjes së Policisë, e cila ndërhyri për t’i mundësuar Kurtit largimin nga Kuvendi. Protestuesit kishin paralajmëruar se nuk do t’i lejonin zyrtarët të largoheshin pa u miratuar përfundimisht projektligji.

    Kurti dhe Hamza janë takuar edhe gjatë fundjavës, por nuk kanë arritur marrëveshje. Kurti kishte propozuar që fillimisht projektligji për Specialen të miratohej në lexim të parë, më pas të zhvillohej seanca për zgjedhjen e presidentit dhe vetëm pas saj të procedohej leximi i dytë.

    Hamza, ndërkaq, kishte kërkuar që projektligji të miratohej përfundimisht para se Kuvendi të kalonte në procedurën për zgjedhjen e presidentit.

    Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon sot. Nëse Kuvendi nuk arrin ta përmbyllë procesin, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.

    Hape si lajm
  8. Reklamë

    Reporteri

    Haxhiu i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për kompetencat pas skadimit të mandatit

    Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese.

    Në kërkesën e bërë ajo ka kërkuar sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, nëse kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri.

    Këtë e konfirmoi zyra e presidentes në një përgjigje me shkrim më 6 tetor – në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri.

    Sipas zyrës, Haxhiu e ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese më 5 tetor, duke u thirrur në nenin 113, paragrafi 3, nënparagrafi 1 i Kushtetutës.

    “Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, tha zyra e presidentes për REL-in.

    Kush do t’i shpallte zgjedhjet?

    Çështja merr rëndësi të veçantë pasi, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin deri në përfundimin e afatit më 6 tetor, ai shpërndahet sipas Kushtetutës.

    Gjykata Kushtetuese përcaktoi në mars se, nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit të caktuar, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

    Megjithatë, kjo krijon një paqartësi tjetër: kush do t’i shpallte zgjedhjet?

    Kushtetuta ia njeh presidentit kompetencën për shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa neni 90 përcakton se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për më shumë se gjashtë muaj.

    Pikërisht kjo është një nga çështjet që Haxhiu i ka dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

    “Kushtetuta këtë kompetencë ia njeh presidentit. Përcaktimi i autoritetit që mund ta ushtrojë atë në rrethanat e krijuara është një nga çështjet kryesore që ia kemi shtruar Gjykatës”, tha Zyra e Presidentes.

    Sipas saj, qëndrimi i institucionit është se duhet të gjendet një zgjidhje kushtetuese që mundëson shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda afateve të përcaktuara.

    Zyra e Presidentes thirret në “vijimësinë institucionale”

    E pyetur nga REL-i se si e interpreton situatën e krijuar, Zyra e Presidentes tha se qëndrimi i saj mbështetet në parimin e “vijimësisë institucionale”.

    “Dispozitat kushtetuese duhet të interpretohen në ndërlidhje, në mënyrë që përfundimi i një afati të mos e bëjë të pamundur përmbushjen e detyrimeve të tjera kushtetuese”, thuhet në përgjigje.

    Sipas saj, pikërisht për të përcaktuar një zgjidhje që do ta garantonte këtë vijimësi brenda rendit kushtetues, çështja i është dërguar Gjykatës Kushtetuese.

    Haxhiu po e ushtron detyrën e presidentes pas përfundimit të mandatit të presidentes së mëparshme, Vjosa Osmani, më 4 prill.

    Kushtetuta përcakton shprehimisht se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

    Gjykata Kushtetuese ende nuk ka bërë publik ndonjë vendim lidhur me çështjet e ngritura nga Haxhiu.

    Radio Evropa e Lirë iu drejtua Gjykatës për të konfirmuar pranimin e kërkesës dhe për të marrë më shumë hollësi rreth trajtimit të saj dhe është në pritje të përgjigjes.

    Hape si lajm
  9. Reklamë

    Reporteri

    Si u caktua 6 tetori afat i fundit për zgjedhjen e presidentit

    Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese në shtator për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, kjo gjykatë ka bërë të ditur se 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.

    Gjykata ka konstatuar se afati 60 ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, kur u mbajt vazhdimi i seancës konstituive, që nisi më 6 gusht.

    “Prandaj, duke marrë për bazë domosdoshmërinë e funksionimit të institucioneve kushtetuese, përkatësisht vazhdimin e funksionimit të institucionit të Presidentit, me mandat dhe pushtet të plotë kushtetues, Gjykata konsideron që Kuvendi deri më 6 tetor 2026 duhet zhvilluar dhe përfunduar procedura për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në njoftim.

    Hape si lajm
Reklamë
Më shumë
Reklamë

Lajmet e fundit

Reklamë