Pavarësisht se në konferencën e sotme Albin Kurti përdori sërish emrin e profesor Bekim Sejdiut duke i kërkuar marrëveshje PDK-së e Bedri Hamzës për Sejdiun president, ky i fundit ka konfirmuar për Gazetën Infokus se nuk është më pjesë e garës për këtë post.
Profesor Sejdiu ka bërë të ditur se për vendimin e tij i ka njoftuar sërish krerët e LDK-së, por edhe vetë kryeministrin Albin Kurti, duke ua bërë të qartë se është tërhequr nga procesi për zgjedhjen e presidentit.
“Unë i kam njoftuar, kam qenë në komunikim me krerët e LDK-së edhe i kam njoftuar së fundi edhe krerët e LDK-së edhe kryeministrin Kurti që unë nuk jam pjesë e këtij procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Unë kam hy me idenë kur kam hy në fillim të shtatorit, me motivin e vetëm që me dal prej një ngërçi, por nuk u realizua sepse nuk u bënë votat edhe rrjedhimisht unë kam bërë një herë tërheqje publike edhe tash normalisht emrin me ma përmend s’mundem me ia ndalu askujt. Edhe e di që e bëjnë me qëllimin më të mirë të mundshëm, e di që kanë besim në mua, por unë i kam informuar që unë jam i tërhequr nga kjo garë”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka treguar se në proces kishte hyrë në një kombinim politik ku LDK-ja do të ishte propozuese, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje mbështetëse, duke shtuar se komunikimet kryesore i kishte zhvilluar me drejtuesit e LDK-së.
“Unë ju kam thënë që jam i tërhequr, unë nuk jam i informuar. Unë kur kam hyrë me LDK-në si propozuese, VV-në si mbështetëse, me qat konspiracion kam hyrë dhe kryesisht i kam bërë komunikimet me drejtues të LDK-së që më kanë propozu e më kanë thirr mua me hy në këtë proces. E çmoj shumë edhe besimin e kryeministrit Kurti, por unë i kam njoftuar se jam tërhequr nga gara, ju kam treguar se nuk jam pjesë e garës”, ka thënë ai.
Sejdiu ka treguar se është i gatshëm t’ua dërgojë drejtuesve të LDK-së edhe mesazhin përmes të cilit i kishte njoftuar për qëndrimin e tij. Ai ka theksuar se nuk e konsideron të denjë që dikush të zgjidhet president vetëm për të shmangur zgjedhjet dhe se posti duhet t’i takojë dikujt që e meriton.
“Nëse dojnë këta të LDK-së, mundem me ua dërgu edhe mesazhin që ua kam dërguar dhe unë ju kam thënë kështu: më së pari nuk konsideroj që është e denjë me u zgjedh president dikush që zgjedhet vetëm me i shmang zgjedhjet, president duhet të zgjedhet dikush që e meriton atë pozitë. Dhe dmth as me ndërlidhjen me tema të tjera që janë të rëndësishme për këtë vend. E dyta, unë kam hyrë në një kombinim politik LDK-VV dhe e kisha mirëprit përkrahjen e të gjithëve. Partitë politike në përgjithësi kanë pasë fjalë të mira për mua si kandidat dhe e çmoj edhe faktin se edhe një pjesë e gazetarëve dhe opinionit publik kanë pasur vlerësim pozitiv për mua. Mirëpo, meqë unë nuk i kam pasur votat, unë jam tërheq nga kjo garë. Për më tepër, në këtë proces me kaq shumë drama, unë nuk kam qenë në Kosovë fare këto ditë. E çmoj shumë besimin dhe vlerësimin nga të gjithë, por unë nuk jam më pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar Bekim.
Deklarimi i Sejdiut vjen pasi emri i tij është rikthyer në diskutimet për zgjedhjen e presidentit, ndërsa ai këmbëngul se LDK-ja dhe kryeministri Kurti janë njoftuar drejtpërdrejt prej tij se është tërhequr nga gara dhe nuk është më pjesë e procesit.
Kurti emrin e Sejdiut e përmendi edhe sot në konferencë në ditën e fundit kur kanë mbëtur edhe pak orë në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Bekim Sejdiu është tërhequr nga kandidatura për president të Kosovës më 14 shtator, pasi kishte vlerësuar se nuk ekzistonte mbështetja e nevojshme parlamentare për zgjedhjen e tij.
Tërheqja e Sejdiut kishte ndodhur pasi ai ishte propozuar si kandidat konsensual nga LDK-ja dhe LVV-ja, por gjashtë deputetë të LDK-së kishin thënë se nuk do ta votojnë.. Për vendimin, ai kishte njoftuar paraprakisht përfaqësuesit e të dyja partive.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si President dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, kishte njoftuar Sejdiu më 14 shtator.
Megjithatë, emri i tij u rikthye sot në skenën politike nga kryeministri Albin Kurti, i cili bëri një ofertë të re për PDK-në, duke kërkuar që së paku gjysma e deputetëve të saj të mbështesin Sejdiun në procesin për zgjedhjen e presidentit.
Kurti deklaroi se, në këmbim të kësaj mbështetjeje, LVV-ja do të procedonte me votimin në lexim të dytë të projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.