Kryeministri Albin Kurti ka bërë një ofertë të re ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, duke propozuar që PDK-ja të sigurojë së paku gjysmën e votave të grupit të saj parlamentar për Bekim Sejdiun në garën për president, ndërsa Vetëvendosje të procedojë me votimin e dytë të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kurti tha se pjesën tjetër të votave për Sejdiun e kanë të siguruar përmes mbështetjes së LDK-së dhe se, nëse PDK-ja merr përsipër të sigurojë gjysmën e grupit të saj parlamentar për këtë kandidaturë, atëherë do të procedohet me leximin e dytë të projektligjit.
“Ne po e bëjmë edhe një ofertë shtesë e konkrete. Nëse PDK-ja zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për profesor Bekim Sejdiun, atëherë ne po procedojmë me votimin në leximin e dytë”, tha Kurti.
Ai kërkoi nga PDK-ja që të deklarohet publikisht për këtë propozim, duke thënë se aktualisht nuk po mund të zhvillojnë takime të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e saj.
Sipas Kurtit, deputetët e PDK-së nuk do të duhej domosdoshmërisht ta votonin Sejdiun, por të paktën të merrnin pjesë në seancë dhe të votonin edhe kundër tij, në mënyrë që të plotësohej kushti i vendosur.
“Meqenëse s’po mund t’i takojmë më, të zotohen para jush se së paku gjysmën e grupit parlamentar mund të na i sjellin në seancë e të votojnë qoftë edhe kundër për Bekim Sejdiun”, tha Kurti.
Oferta e re vjen pas takimit të mbrëmshëm mes Kurtit dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, i cili përfundoi pa marrëveshje.
Ndërkohë, para objektit të Qeverisë kanë vazhduar të qëndrojnë protestues që kërkojnë miratimin përfundimtar të projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Projektligji është miratuar dje në lexim të parë në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, ndërsa PDK-ja po kërkon që procedura të përmbyllet sa më shpejt me votimin në lexim të dytë.
Protesta e mbrëmshme në Prishtinë eskaloi pas ndërhyrjes së Policisë, e cila ndërhyri për t’i mundësuar Kurtit largimin nga Kuvendi. Protestuesit kishin paralajmëruar se nuk do t’i lejonin zyrtarët të largoheshin pa u miratuar përfundimisht projektligji.
Kurti dhe Hamza janë takuar edhe gjatë fundjavës, por nuk kanë arritur marrëveshje. Kurti kishte propozuar që fillimisht projektligji për Specialen të miratohej në lexim të parë, më pas të zhvillohej seanca për zgjedhjen e presidentit dhe vetëm pas saj të procedohej leximi i dytë.
Hamza, ndërkaq, kishte kërkuar që projektligji të miratohej përfundimisht para se Kuvendi të kalonte në procedurën për zgjedhjen e presidentit.
Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon sot. Nëse Kuvendi nuk arrin ta përmbyllë procesin, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.
