Ligji për Gjykatën Speciale ndryshimi i të cilit është miratuar mbrëmë në lexim të dytë në seancën plenare të Kuvendit, synon kufizimin e juridiksionit të kësaj gjykate në vepra të kryera vetëm pas luftës – nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000. Ndërsa ai i deridjeshëm u jepte Dhomave të Specializuara juridiksion për krimet e pretenduara të kryera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Ligji nuk e shfuqizon Gjykatën Speciale, por synon t’ia kufizojnë mandatin lëndor, por edhe kohor e territorial kësaj gjykate, si dhe përcaktimin se cilat vepra penale do të mund të gjykoheshin në Speciale.

Neni 2 e kufizon juridiksionin në vepra specifike, të lidhura me nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm i organeve, indeve ose qelizave njerëzore, siç identifikohet dhe pretendohet specifikisht në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Po ashtu, edhe veprat si vrasja e paligjshme, tortura ose trajtimi mizor dhe çnjerëzor i kryer në vendet specifike të ndalimit të emërtuara shprehimisht në Raport, dhe kur akte të tilla janë kryer drejtpërdrejt ose në lidhje të menjëhershme me veprimet e marrjes së organeve.

Reklamë

“Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kanë juridiksion lëndor (ratione materiae) mbi krimet e përgjithshme të luftës, krimet kundër njerëzimit ose dhunën politike të kryer në Kosovë që nuk përbëjnë element të drejtpërdrejtë dhe përbërës të akteve specifike të numëruara në paragrafin 1 të këtij neni”, thuhet në nenin 2 të ligjit.

Ndërkaq, neni 6 parasheh që procedurat aktive që nuk bien në juridiksionin e ri të Speciales, e po ashtu edhe aktakuzat e konfirmuara dhe gjykimet, të transferohen në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa kallëzimet penale, hetimet dhe dosjet e ndjekjes, t’i kalojnë Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Për personat e paraburgosur, ligji i hartuar nga PDK-ja parasheh transferimin në Kosovë.

“Autoriteti pranues ndërmerr pa vonesë veprimet e nevojshme që personi të paraqitet para gjyqtarit kompetent jo më vonë se dyzet e tetë (48) orë nga mbërritja e tij në territorin e Republikës së Kosovës. Gjykata kompetente shqyrton në mënyrë të pavarur ligjshmërinë dhe nevojën e vazhdimit të privimit nga liria dhe vendos për paraburgimin ose masat alternative sipas Kodit të Procedurës Penale”, parashihet në të.

Një nen tjetër përcakton që Specialja të mund t’i shqiptojë një personi të dënuar dënim me burgim në kohëzgjatje jo më të gjatë se 15 vjet.

Reklamë

Ndërsa, neni 17 parasheh se të dënuarit me aktgjykim të formës së prerë mund të jenë subjekt i faljes individuale nga presidenti i Kosovës.

E iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ajo ishte miratuar në lexim të parë më 5 tetor.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet për krime lufte, ndërsa të katërt u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.