Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës për presidente mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese vetëm nga të paktën 10 deputetë, ndërsa njoftimi i avokatit Arianit Koci për moszbatimin e aktgjykimit, sipas tij, nuk ka efekt të drejtpërdrejtë në pezullimin e procedurës.
Cakolli në një intervistë për EO-në ka thënë se bazuar në parimin e prezumimit të kushtetutshmërisë, zgjedhja e Shiroka-Pulës mbetet kushtetuese përderisa nuk kontestohet brenda afatit të përcaktuar.
“Pikësëpari, sa i përket procedurës së kontestimit të vendimeve të kuvendit, absolutisht individët nuk janë palë e autorizuar. Të drejtë për të kontestuar vendimet e kuvendit, qoftë në aspektin procedural, ashtu edhe në atë përmbajtësor, kanë vetëm të paktën 10 deputetë, të cilët duhet që brenda tetë ditësh ta kontestojnë aktin e miratuar nga Kuvendi, që në rastin tonë është edhe ky për zgjedhjen e presidentit”, tha ai.
Sipas Cakollit, afati për një kontestim të tillë do të ishte deri më 14 tetor.
“Kjo nënkupton, bazuar në parimin e llogaritjes se çdo vendim është kushtetues derisa të vërtetohet e kundërta, pra ky prezumimi i kushtetutshmërisë, zgjedhja e zonjës Justina Pula si presidente është plotësisht kushtetuese, përveç nëse dikush do ta kontestojë në gjykatë brenda afatit tetë ditor, që i bie më së voni deri më 14 tetor, dhe eventualisht gjykata do ta anulojë të njëjtën”, tha ai.
Cakolli ka folur edhe për njoftimin për moszbatim në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se ai nuk e pezullon procedurën.
“Nga ana tjetër, edhe dërgimi në Gjykatë Kushtetuese i njoftimit për moszbatim, nuk ka asnjë efekt të drejtpërdrejtë në pezullimin e procedurës si të tillë. Për shkak se gjykata ka mekanizma të brendshëm për ta bërë kontrollin e zbatimit të vendimeve të saj, përmes formimit të disa komisioneve të brendshme. Sidoqoftë nuk ka kuptim që të them gjykata ta bëjë vlerësimin e zbatimit ose moszbatimit, sepse nuk ka pikë të aktgjykimit që nuk është zbatuar”, tha ai.
Ai ka thënë se pretendimi për moszbatim të aktgjykimit, sipas tij, nuk prodhon efekt mbi procedurën e zgjedhjes së presidentes.
“Pra gjykata ka përcaktuar pasojën që nënkupton se e vetmja mënyrë për ta kontestuar këtë procedurë është nëse ndiqet procedura sipas nenit 113 të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjit për Gjykatën. Andaj, ndonëse e drejta e çdokujt që të pretendojë se po arrin që ta dërgojë një rast, kjo absolutisht nuk qëndron dhe në fakt më shumë duket si përpjekje për vëmendje por që përmbajtësisht nuk ka asnjë efekt mbi procedurën e zgjedhjes së presidentit”, tha ai.
Cakolli ka thënë se mënyra e përfundimit të votimit për presidenten mbetet e diskutueshme, pasi votimi kishte nisur në minutat e fundit të 6 tetorit dhe kishte vazhduar edhe pas mesnatës.
“Zgjedhja e presidentit, përkatësisht presidentes mbrëmë, normalisht mbetet e diskutueshme për mbylljen e procedurës, por që në anën tjetër, ka praktika sidomos ndërkombëtare por edhe mënyra se si janë interpretuar normat në Kosovë, bazuar edhe në vetë jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, është që normat të interpretohen në funksion të mundësimit të formimit të institucioneve, e jo që dispozitat të interpretohen mekanikisht për një gjë të tillë”, tha ai.
Sipas tij, fakti që votat kanë qenë në kuti para përfundimit të 6 tetorit mund të jetë relevant në interpretimin e përfundimit të procedurës.
“Unë besoj që meqenëse procedura ka nisur dhe ka qenë në përmbyllje, pra votat kanë qenë në kuti, do të jetë problematike që të konstatohet se ka dështuar zgjedhja e presidentit brenda afatit sepse, në anën tjetër nuk ka interpretim taksativ se çfarë nënkupton zgjedhja e presidentit. Pra, a zgjidhet presidenti vetëm kur ta konstatojë këtë kryetarja, kur të numërohen votat, apo kur të njëjtat janë në kuti”, tha ai.
Cakolli ka bërë analogji me procesin zgjedhor, duke thënë se data e zgjedhjeve mbetet ajo në të cilën është zhvilluar procesi, edhe nëse rezultatet certifikohen më vonë.
“Sepse të gjitha kanë relevancën e tyre dhe ta zëmë në analogji me procesin zgjedhor, zgjedhjet bëhen në një datë të caktuar, ta zëmë në rastin e fundit më 7 qershor, dhe edhe nëse rezultatet certifikohen një ditë pas, dy ditë pas, dy javë pas, data e zgjedhjeve mbetet 6 apo 7 qershori. Dhe seanca e djeshme, pra presidenti i vendit në kuptimin e gjerë të fjalës është zgjedhur në seancën e mbajtur më 6 tetor, jo më 7 tetor, sepse nuk ka pasur seancë të thirrur për datën 7 tetor. Andaj, besoj që ka mundësi që kjo çështje të tejkalohet, nëse vetëm se do të ketë kërkesë për interpretim, por që unë besoj që nuk është e dobishme që të ketë interpretim kaq të ngushtë të normës kushtetuese deri në sekonda në këtë kuptim”, tha ai.
Ndërkohë, avokati Arianit Koci ka njoftuar se të mërkurën ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese njoftimin për moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26.
Koci ka thënë se Gjykata kishte përcaktuar që procedura për zgjedhjen e presidentit duhej të përfundonte deri më 6 tetor 2026 dhe se votimi kishte vazhduar edhe pas mesnatës.
“Sot kam depozituar në Gjykatën Kushtetuese njoftimin për moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26. Gjykata kishte përcaktuar qartë se procedura për zgjedhjen e presidentit duhej të përfundonte deri më 6 tetor 2026. Sipas të dhënave publike, votimi ka vazhduar edhe pas mesnatës. Gjykata në nenin 226 të aktgjykimit, e ka theksuar edhe pasojën juridike në rast se afati nuk respektohet: shpërndarja e kuvendit. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme. Pa zbatimin e tyre, nuk ka shtet e shoqëri”, ka shkruar ai.