Veterani i UÇK-së, Gazmend Bytyçi, ka njoftuar se ka paraqitur në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) rastin lidhur me dhunën që, sipas tij, është ushtruar ndaj tij dhe protestuesve të tjerë gjatë protestës së mbajtur në Prishtinë.
Bytyçi ka thënë se, pavarësisht rastit të paraqitur, vazhdon të besojë në shtetin dhe Policinë e Kosovës.
“Askush mbi shtetin!
Sapo paraqita rastin në Inspektoratin Policor për ata policë që ushtruan dhunë mbi mua dhe mbi protestuesit e tjerë.
Unë besoj në shtetin tim!
Unë besoj në policinë time!
Unë nuk toleroj huliganë në uniformën e Policisë”, ka shkruar Bytyçi.
Ai ka thënë se shteti i Kosovës është krijuar me sakrificë dhe ka deklaruar se do ta mbrojë atë nëse është e nevojshme.
“Këtë shtet e kemi krijuar me gjak, nëse është e nevojshme, do ta mbrojmë me gjak.
Rroftë Republika e Kosovës!”, ka përfunduar ai.