Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka rrëzuar me shumicë votash kërkesën e 39 deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kundërshtuan dekretet e Presidentit për emërimin e Këshillit të Ministrave dhe përfshirjen e “Diellës”, sistemit të inteligjencës artificiale, në strukturën qeverisëse.
Deputetët e PD-së kishin kërkuar shfuqizimin e pjesëve të dy dekreteve presidenciale, me pretendimin se përmes tyre ishte krijuar një strukturë e re ministrore dhe i ishte ngarkuar Kryeministrit një përgjegjësi që, sipas tyre, nuk buronte nga Kushtetuta apo ligji.
Në vendimin e publikuar më 8 tetor, Gjykata Kushtetuese thekson se çështja është e re, pasi nuk ka pasur më herët një rast të ngjashëm në kontekstin e përdorimit të inteligjencës artificiale në ushtrimin e kompetencave publike.
Sipas Gjykatës, përdorimi i inteligjencës artificiale nuk mund të ndryshojë rendin kushtetues dhe ligjor për ushtrimin e kompetencave publike, përgjegjësinë dhe llogaridhënien.
“Përdorimi i një mjeti teknologjik nuk mund të krijojë, zgjerojë, transferojë ose zëvendësojë këto kompetenca”, thuhet në vendim.
Megjithatë, Gjykata ka vlerësuar se kërkesa e deputetëve nuk mund të shqyrtohej mbi bazën e kompetencave kushtetuese që ata kishin pretenduar.
Lidhur me kompetencën për kontrollin e akteve normative, Kushtetuesja ka konstatuar se formulimi i kundërshtuar mund të prodhojë efekt juridik individual ndaj Kryeministrit, por nuk ka karakter normativ dhe nuk krijon në mënyrë autonome kompetenca apo struktura të reja kushtetuese.
Sa i përket pretendimit për një mosmarrëveshje kompetencash ndërmjet pushteteve, Gjykata ka vlerësuar se deputetët që e kanë paraqitur kërkesën nuk legjitimohen për ngritjen e një mosmarrëveshjeje të tillë, pasi nuk janë subjekt në konflikt dhe as subjekt i cenuar drejtpërdrejt.
Ndërkaq, për pretendimin që lidhej me zgjedhshmërinë dhe emërimin e funksionarëve kushtetues, Gjykata ka arsyetuar se rasti i “Diellës” nuk lidhet me një funksionar konkret kushtetues, zgjedhshmëria, papajtueshmëria apo emërimi i të cilit mund të jetë objekt kontrolli kushtetues.
Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, ka vendosur rrëzimin e kërkesës së 39 deputetëve të PD-së.