Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me zhvillimet pas miratimit të ligjit për Gjykatën Speciale, duke akuzuar për mashtrim ata që, sipas tij, kishin premtuar se nisma do të prodhonte efekte juridike.
Abdixhiku ka thënë se ende pa kaluar 48 orë nga miratimi i ligjit, kanë filluar të kuptohen pasojat e një nisme që, sipas tij, ishte ndërtuar mbi emocionet e qytetarëve.
“Ende pa u mbushur 48 orë, qenkan habitur që ligji nuk prodhon efektin juridik që ju premtuan. Që e gjithë kjo nismë e ide ishte veç një mashtrim me emocionet e një populli të lënduar. PO, JU KANË MASHTRUAR! DHE PO, UA KEMI THËNË!”, ka shkruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka kritikuar edhe sulmet ndaj partisë së tij, pasi kjo e fundit kishte kundërshtuar nismën në seancën e Kuvendit më 5 tetor.
Sipas tij, në vend që të dëgjoheshin argumentet e LDK-së, partia ishte etiketuar si kundërshtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Do ta kishit kuptuar me kohë, sikur në vend të vërsuljes ndaj LDK-së dhe shpalljes së saj si kundërshtare të UÇK-së, të dëgjonit çfarë po thonim”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku ka akuzuar kundërshtarët politikë se kanë vendosur interesat partiake mbi atë që ai e ka cilësuar si përpjekje kombëtare.
“Por kur beteja e vogël partiake bëhet më e rëndësishme se përpjekja kombëtare, kur hileqarët marrin zë e tregtarët e mendimit drejtojnë gishtin, kur askush s’guxon të thotë se ‘mbreti është lakuriq’, atëherë më e lehta është t’i vërsulesh arsyes – mes tradhtarëve që s’janë dhe patriotëve që shtiren”, ka shkruar kryetari i LDK-së.
Ai ka shtuar se zhvillimet e fundit, sipas tij, kanë dëshmuar se paralajmërimet e partisë së tij ishin të drejta.
“E pastaj nuk kalojnë as 48 orë dhe perdet bien. Zhurma mbetet veç jehonë, e vërteta s’lëkundet; por një popull mbetet i mashtruar!”, ka theksuar Abdixhiku.
Në fund, ai ka rikujtuar qëndrimin e LDK-së të paraqitur në Kuvendin e Kosovës më 5 tetor, duke kërkuar që argumentet e kësaj partie të lexohen me vëmendje.
“Ky ishte qëndrimi i LDK-së, lëvizjes më të madhe shqiptare për liri, pavarësi e demokraci, më 5 tetor, në Kuvendin e Republikës. Nuk e dëgjuan atëherë, le ta lexojnë me vëmendje sot”, ka përfunduar Abdixhiku.