Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, tha se pas zgjidhjes së krizës institucionale, Kosova tashmë e ka krijuar mundësinë për të ndjekur në mënyrë aktive agjendën e saj evropiane.
Ai këtë deklaratë e bëri në pritjen e organizuar me rastin e “Ditës së bashkimit gjerman”, që u mbajt sonte.
“Pas zgjidhjes së krizës institucionale, pres me padurim të punoj me energji të re, si në bashkëpunimin tonë dypalësh, ashtu edhe në agjendën evropiane të Kosovës. Duke krijuar institucione stabile, vendi tashmë e ka vendosur veten në pozitë që ta ndjekë sërish në mënyrë aktive këtë agjendë. Kjo nuk do të thotë se rruga përpara do të jetë gjithmonë e lehtë. Ky proces do të kërkojë ende debate dhe vendime të vështira, si brenda vendit, ashtu edhe me të tjerët. Dhe do të doja të shtoja se edhe përvoja e vendit tim është dëshmi për këtë”, tha Rudolph.
Ai theksoi që Kosova të vazhdojë ta ndjekë synimin për integrim në strukturat evropian.
“E di se në Kosovë ka padurim për një proces që tashmë duket se po zgjat shumë dhe, më besoni, edhe unë e ndaj këtë padurim. Por, në njëfarë kuptimi, qëllimi i integrimit të plotë të Kosovës në strukturat evropiane mund të jetë sot edhe më i rëndësishëm sesa ishte kur ju nisët këtë rrugë. Peizazhi politik dhe i sigurisë në kontinentin tonë është në ndryshim në një mënyrë që nuk e kemi parë prej shumë vitesh. Lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës është në vitin e saj të pestë. Vendi im dhe disa të tjerë kanë qenë cak i të ashtuquajturave sulme hibride. Në këtë mjedis, Kosova tani nuk mund dhe nuk duhet të shikojë më vetëm nga brenda, por përkundrazi duhet ta shohë integrimin e saj evropian si një kontribut aktiv për paqen dhe sigurinë në Evropë”, shtoi ambasadori Rudolph.