Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, të premten i vendosi sanksione Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GjPN), disa orë pasi njëra nga ish-gjykatëset e saj e fitoi Çmimin Nobel për Paqe, duke e vendosur Uashingtonin në përplasje diplomatike me aleatët evropianë.

Zëvendësprokurorja e GjPN-së, Nazhat Shameem Khan, i dënoi sanksionet amerikane dhe tha se ato nuk do ta ndalin punën e tribunalit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Administrata e Trumpit për një kohë të gjatë ka qenë armiqësore ndaj gjykatës së themeluar në vitin 2002 për t’i ndjekur krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin dhe në të kaluarën ka vendosur sanksione ndaj prokurorëve dhe gjykatësve të saj. Masa e së premtes do të shkonte shumë më larg, duke i dënuar potencialisht kompanitë që i ofrojnë shërbime kësaj gjykate.

Reklamë

“Presidenti Trump kurrë nuk do ta lejojë Gjykatën Penale Ndërkombëtare që t’i ndjekë penalisht amerikanët” – tha në një deklaratë sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio.

“Për këtë arsye, sot, Shtetet e Bashkuara po e sanksionojnë Gjykatën Penale Ndërkombëtare” – shtoi ai.

Zëvendësprokurorja e GjNP-së i tha agjencisë “Reuters” se këto sanksione “duhet të dënohen”.

“Qëllimi i këtyre sanksioneve është që ta minojnë sundimin e ligjit në aspektin ndërkombëtar dhe punën që një institucion i pavarur gjyqësor është duke e bërë. Puna jonë do të vazhdojë në të gjitha situatat tonë, hetimet tona dhe ndjekjet tona penale” – tha ajo.

Uashingtoni e ka dënuar GjNP-në për lëshimin e urdhërarresteve për zyrtarë izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, dhe një hetim në të kaluarën për veprimet e ushtarëve amerikanë në Afganistan.

Reklamë

GjNP-ja ka 125 shtete anëtare, përfshirë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë. Në të kaluarën, gjykata ka marrë mbështetje të fuqishme publike nga vendet anëtare, përfshirë disa aleatë të rëndësishëm të Uashingtonit. Ajo e ka selinë në Holandë, shtet anëtar i BE-së dhe i NATO-s.