Disa shtete të rëndësishme evropiane, Kanadaja e Japonia e kanë shprehur keqardhjen dhe mospajtimin e tyre me sanksionet e paralajmëruara nga Shtetet e Bashkuara ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GjPN), duke u zotuar se do ta vazhdojnë mbështetjen për punën e këtij institucioni të drejtësisë.

“Ne, palët shtete, nënshkruese të Statutit të Romës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GjPN), e riafirmojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme dhe të palëkundur për pavarësinë, paanshmërinë dhe integritetin e GjNP-së” – thuhet në një deklaratë të përbashkët të ministrave të Jashtëm të Gjermanisë, Francës, Britanisë, Italisë, Kanadasë, Japonisë, Holandës dhe Danimarkës.

“Si mbështetës të përkushtuar të GjPN-së, ne na vjen keq dhe fuqishëm nuk pajtohemi me njoftimin e sanksioneve që do t’i vendosen Gjykatës nga Shtetet e Bashkuara” – thuhet më tej në deklaratë.

Reklamë

Kryediplomatët e këtyre vendeve thanë se, nëse sanksionet e paralajmëruara nga homologu i tyre, Marco Rubio, zbatohen, ato do të kenë “ndikim domethënës ndaj punës së gjykatës, stafit të saj të përkushtuar dhe familjeve të tyre”.

“Ata punojnë çdo ditë që t’i sjellin para drejtësisë ata që akuzohen për krimet më serioze ndërkombëtare dhe për t’i mbështetur viktimat e tyre” – vijon deklarata e përbashkët.

“Ne do të vazhdojmë që të punojmë së bashku për ta mbështetur punën jetike të Gjykatës, për ta përkrahur sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe për ta avancuar llogaridhënien” – thuhet në fund të saj.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, të premten njoftoi sanksione ndaj GjPN-së, disa orë pasi njëra nga ish-gjykatëset e saj e fitoi Çmimin Nobel për Paqe, duke e vendosur Uashingtonin në përplasje diplomatike me aleatët evropianë.

“Presidenti Trump kurrë nuk do ta lejojë Gjykatën Penale Ndërkombëtare që t’i ndjekë penalisht amerikanët” – tha në një deklaratë sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio.

Reklamë