Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka hedhur dyshime mbi planet e Pentagonit për ta transmetuar drejtpërdrejt ekzekutimin me pushkatim të një të dënuari me vdekje për sulmin në bazën “Fort Hood”.

Duke folur me gazetarë, Vance shprehu dyshim se një gjë e tillë do të ndodhë sipas planit, duke thënë: “Nuk e di që ajo në të vërtetë do të ndodhë.”

Ai shtoi se, “nëse transmetohet drejtpërdrejt, unë nuk do të jem duke e shikuar”. Megjithatë, Vance i përshkroi veprimet e të dënuarit Nidal Hasan si “sulmin më të rëndë terrorist në tokën amerikane me përjashtim të 11 Shtatorit”, raporton televizioni BBC.

Reklamë

Hasan kishte qëlluar për vdekje 13 ushtarë të paarmatosur amerikanë në bazën “Fort Hood” në vitin 2009, ndërsa kishte plagosur 32 të tjerë. Ekzekutimi i tij me pushkatim do të ishte ekzekutimi i parë ushtarak në më shumë se 60 vjet.

Pentagoni njoftoi më herët këtë javë se do ta ekzekutojë Hasanin përmes pushkatimit, rasti i parë i tillë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Më pas, të enjten, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se ekzekutimi do të transmetohet drejtpërdrejt për publikun.

“Njerëzit duhet të kuptojnë që ka pasoja serioze për këto lloje të gjërave” – tha Hegsethi, duke iu referuar sulmit masiv të vitit 2009.

BBC-ja e ka pyetur Shtëpinë e Bardhë për atë se a e mbështet presidenti Donald Trump planin për transmetimin e drejtpërdrejtë të pushkatimit të të dënuarit.

Duke folur para gazetarëve të premten, Vance tha: “I shoh këto njoftime. Nuk e di që ajo në të vërtetë do të ndodhë.”

Reklamë

Sipas tij, Hasan duhej t’i trajtonte ushtarët për sëmundje mendore e probleme të tjera dhe “i mori në momentin më të brishtë të tyre dhe i qëlloi aty ku jetonin”.

Njoftimi për transmetimin e drejtpërdrejtë të pushkatimit të të dënuarit ka marrë kritika nga të dyja partitë e mëdha në Shtetet e Bashkuara.