Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas kritikave të komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Çitaku ka thënë se mospajtimet e herëpashershme me partnerët ndërkombëtarë janë të natyrshme, por ka theksuar rëndësinë e sqarimit të qëllimit të ndryshimeve ligjore para Bashkimit Evropian.

“Është normale ndonjëherë me miqtë të mos kemi pajtime”, ka deklaruar Çitaku.

Reklamë

Ajo ka shtuar se institucionet e Kosovës duhet t’ia shpjegojnë BE-së përmbajtjen dhe synimin e këtij ligji.

“Është e rëndësishme ta sqarojmë me BE-në se çka ai ligj kërkon”, ka thënë ajo.

Për këtë çështje ka folur edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e cila ka deklaruar se partia e saj i kishte shprehur me kohë rezervat për ligjin në fjalë.

Reagimet e tyre vijnë pasi komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, kritikoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke i cilësuar ato si në kundërshtim me detyrimet themelore të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

Në një deklaratë para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, Kos tha se këto ndryshime janë të papranueshme.

Reklamë

Ajo theksoi se ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.

Komisionerja evropiane paralajmëroi gjithashtu se vendet që bëjnë hapa prapa në përmbushjen e standardeve evropiane rrezikojnë përparimin e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.