Zohran Mamdani nuk do të marrë pjesë në paradën tradicionale të Columbus Day, e cila pritet të zhvillohet në orët e ardhshme në Fifth Avenue të New York-ut. Sipas asaj që ka konfirmuar për The New York Times, kryebashkiaku i New York-ut ka vendosur të mos jetë i pranishëm në këtë aktivitet tradicional.
“Ky është një tregues i mungesës së respektit ndaj komunitetit italo-amerikan. Fakti që ai nuk merr pjesë në paradë e konfirmon këtë”, deklaroi Angelo Vivilo, president i Columbus Heritage Foundation, për New York Post. “Ne e dimë se ai e urren Kolombin. Por parada feston kulturën e italo-amerikanëve”, shtoi ai.
Zyra e shtypit e bashkisë ka refuzuar të japë shpjegime për mungesën e Mamdanit, duke bërë të ditur se kryebashkiaku do të organizojë së shpejti një pritje kushtuar trashëgimisë kulturore italo-amerikane në Gracie Mansion, rezidenca zyrtare e kryebashkiakut.
Parada e Columbus Day në Nju Jork, e cila prej kohësh përbën një burim krenarie për komunitetin italo-amerikan, ka qenë vazhdimisht në qendër të polemikave. Në vitet 1930, disa nga pjesëmarrësit mbështesnin regjimin fashist italian, ndërsa në dekadat e fundit debatet janë përqendruar te figura e Kristofor Kolombit, i akuzuar për nxitjen e kolonizimit dhe gjenocidit ndaj popujve indigjenë.
Në të kaluarën, Mamdani ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj statujave të Kolombit, duke kërkuar heqjen e tyre. Gjithashtu, një pjesë e komunitetit italo-amerikan mendon se ai nuk e vlerëson sa duhet kontributin e këtij komuniteti në jetën e qytetit, veçanërisht pas përjashtimit të Little Italy nga një hartë zyrtare e komuniteteve të emigrantëve.
Mamdani ka premtuar se harta do të përditësohet, duke përfshirë më shumë se 200 komunitete etnike.