Prokuroria e Prishtinës ka dhënë detaje lidhur me incidentin që ka ndodhur mbrëmë, në TV Dukagjini, mes analistit të futbollit në emisionin “Dueli Sportiv”, Liridon Leci, dhe mysafires në emision, ish-futbollistes Edonisa Aliu.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala, ka thënë se Aliu është intervistuar në cilësinë e palës së dëmtuar, ku ka deklaruar se pas përfundimit të emisionit është fyer dhe është kapur për fyti nga Leci.

Ndërkaq, sipas Prokurorisë, sot, Njësia e Hetimeve ka siguruar pamjet nga kamerat e sigurisë, në të cilat shihet se Edonisa Aliu, duke “tensionuar situatën, e ka kapur për fyti dhe e ka goditur në fytyrë Liridon Lecin”.

Reklamë

“Ju njoftojmë lidhur me rastin e ndodhur më 11.10.2026, pas përfundimit të emisionit televiziv “Dueli Sportiv”, në kuadër të TV Dukagjinit. Personat me inicialet E.A. dhe L.L. kanë paraqitur pretendime për fyerje dhe sulm fizik. Personi me inicialet E.A. është intervistuar në cilësinë e palës së dëmtuar, ku ka deklaruar se, pas përfundimit të emisionit, është fyer dhe është kapur për fyti nga personi me inicialet L.L. Po ashtu, ajo ka pranuar tretman mjekësor në Obiliq, ndërsa, sipas raportit mjekësor, nuk janë vërejtur shenja apo gërvishtje të dukshme. Ndërkaq, sot, më 12.10.2026, Njësia e Hetimeve ka siguruar pamjet nga kamerat e sigurisë, në të cilat shihet se personi me inicialet E.A., duke tensionuar situatën, e ka kapur për fyti dhe e ka goditur në fytyrë personin me inicialet L.L.”, deklaron Prokuroria.

Ish-futbollistja Aliu ka reaguar publikisht pas incidentit të ndodhur pas përfundimit të emisionit “Dueli Sportiv”, duke pretenduar se është fyer në mënyrë vulgare dhe është sulmuar fizikisht nga analisti dhe trajneri i KF Vëllaznimit të Gjakovës, Liridon Leci.

Përmes një sqarimi publik, Aliu ka thënë se për ngjarjen ka dëshmitarë, ndër ta Ndrec Gjonaj dhe Faruk Statovci, si dhe persona të tjerë që, sipas saj, kanë qenë të pranishëm në momentin e incidentit.

Ajo ka kërkuar që rasti të zbardhet deri në detaje dhe të shqyrtohen pamjet filmike nga përfundimi i emisionit e deri në përfundim të incidentit, në mënyrë që të dokumentohen rrethanat e plota të ngjarjes.

“Besoj se e vërteta duhet të dalë në dritë dhe se askush nuk duhet të ndihet i paprekshëm përballë veprimeve të tilla”, ka shkruar Aliu në reagimin e saj.

Reklamë

Ajo ka theksuar se respekti, dinjiteti dhe siguria personale nuk duhet të cenohen në asnjë rrethanë.