Legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, ka kërkuar ndëshkime të ashpra për Manchester Cityn pas vendimit të komisionit të pavarur për shkeljet financiare të klubit anglez, duke propozuar ndalim të transferimeve dhe zbritje pikësh për disa sezone.
Në një paraqitje në emisionin “The Overlap”, ish-kapiteni i Liverpoolit argumentoi se ndëshkimi duhet të reflektojë ndikimin që këto shkelje kanë pasur në futbollin anglez gjatë viteve të fundit.
“Mendoj se duhet të ketë ndalim të transferimeve, zbritje pikësh përgjatë një periudhe kohore dhe t’i bëjmë të vuajnë, ashtu siç i kanë bërë të gjithë të tjerët të vuajnë për nëntë apo dhjetë vjet”, deklaroi Gerrard, sipas agjencisë PA, në një citim të publikuar nga RTÉ.
Gerrard, i cili me Liverpoolin e humbi titullin e Premier League në vitin 2014 për vetëm dy pikë ndaj Manchester Cityt, kërkoi gjithashtu që sukseset e klubit të shënohen me një lloj simboli që tregon se ato janë arritur gjatë periudhës së shkeljeve të konstatuara.
City kundërshton vendimin
Manchester City, ndërkohë, ka kundërshtuar përfundimet e komisionit dhe ka paraqitur ankesë, duke pretenduar se vendimi përmban gabime thelbësore ligjore dhe faktike.
Klubi ka këmbëngulur se posedon prova për të mbrojtur pafajësinë e tij.
Trajneri Enzo Maresca, i cili më herët ka punuar te City, ka shprehur besim te klubi dhe ka kundërshtuar idenë se sukseset sportive të skuadrës duhet të zhvlerësohen.
Komisioni i pavarur e gjeti Cityn fajtor për shumicën e shkeljeve të trajtuara në çështjen që përfshin periudhën 2009–2018, përfshirë shkelje serioze të rregullave financiare dhe mungesë bashkëpunimi me hetimin.
Megjithatë, dënimi përfundimtar sportiv ende nuk është shpallur, ndërsa procesi i ankesës mbetet i hapur.