Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Serbia ende nuk ia ka dorëzuar Kosovës dokumentacionin kadastral, ndonëse për këtë çështje është arritur marrëveshje në vitin 2011.

Kurti i bëri këto deklarata në ceremoninë përmbyllëse të projektit PIAKOS, të organizuar nga ATRC dhe Banka Botërore, ku foli për sfidat me të cilat përballet Kosova në këtë fushë.

Ai tha se, pavarësisht marrëveshjes së nënshkruar më 2 shtator 2011, Kosova nuk ka marrë as kopjen e dokumentacionit kadastral nga Serbia.

Reklamë

“Natyrisht që sfidë e veçantë për shtetin tonë ngelet fakti që janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na ka dorëzuar dokumentacionin kadastral, edhe pse marrëveshja ndërshtetërore është nënshkruar me datë 2 shtator 2011”, u shpreh Kurti.

Kreu i Qeverisë tha se Bashkimi Evropian i kishte ndarë Beogradit zyrtar dy milionë euro donacion lidhur me këtë proces, por, sipas tij, Serbia nuk e ka dorëzuar as kopjen e dokumentacionit.

“Pra, në muajin e kaluar janë bërë 15 vjet që Bashkimi Evropian u ka dhënë dy milionë euro donacion Beogradit zyrtar, e ata s’na e kanë dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral, se le më origjinalin”, deklaroi Kurti.

Megjithatë, ai theksoi se institucionet e Kosovës dhe shoqëria civile po vazhdojnë bashkëpunimin për të avancuar interesat e qytetarëve.

“E pavarësisht kësaj vështirësie, institucionet e shtetit dhe shoqëria civile po punojnë bashkë për më të mirën e popullit tonë”, përfundoi Kurti.

Reklamë