Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar kanosjen ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, për të cilën është arrestuar ish-deputeti Gani Geci.
Në reagimin e saj, AGK-ja është shprehur e shqetësuar për rrezikimin e sigurisë fizike të Mehmetajt, duke e dënuar në termat më të ashpër incidentin e ndodhur mbrëmjen e kaluar.
“AGK-ja është thellësisht e shqetësuar për kanosjen dhe rrezikimin e sigurisë fizike të gazetarit Lirim Mehmetaj, themelues i Vox Kosova. AGK-ja e dënon në termat më të ashpër aktin e kanosjes së ndodhur mbrëmë, për të cilin është arrestuar ish-deputeti Gani Geci”, thuhet në reagim.
Asociacioni ka theksuar se shprehja e mendimit të lirë për çështje me interes publik dhe për figura publike, përfshirë deputetët, është e drejtë themelore në një shtet demokratik.
AGK-ja ka shprehur gjithashtu mirënjohje për reagimin e Policisë së Kosovës dhe përkushtimin e Prokurorisë në trajtimin e rastit.
“AGK-ja, gjithashtu, i bën thirrje Policisë së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë fizike të Mehmetajt dhe familjes së tij”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, Asociacioni ka vlerësuar se kanosja ndaj gazetarit pasqyron klimën e vështirë në të cilën ushtrohet gazetaria në Kosovë dhe nevojën për t’i dhënë fund intimidimit të punonjësve të medias.
“Aktet e tilla përbëjnë një goditje të rëndë ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar”, përfundon reagimi i AGK-së.
Ndryshe, sot Prokruoria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se e ka ndaluar për 48 orë Gani Gecin, nën dyshimin për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari Gani Geci dyshohet se e ka kanosur gazetarin për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.
“Me urdhër të Prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë një person me inicialet G.G., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale ‘Kanosja’, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Tutje, Prokuroria ka bërë të ditur se në kuadër të veprimeve hetimore janë intervistuar si gazetari Lirim Mehmetaj, në cilësinë e të dëmtuarit, ashtu edhe i dyshuari.
“Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G., me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe sigurimin e provave relevante.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e sigurisë së tyre.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e sigurisë së tyre, si dhe në respektimin e plotë të lirisë së shprehjes”, thuhet në komunikatë.