Një person nga komuniteti serb raportohet se është arrestuar mbrëmjen e së martës në Fushë-Kosovë, pasi dyshohet se kishte kërcënuar banorët se do t’i hidhte në erë.
Në vendin e ngjarjes janë angazhuar forca të shumta të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, ndërsa të pranishme kanë qenë edhe ekipet e zjarrfikësve dhe të emergjencës mjekësore.
Mësohet se operacioni policor është zhvilluar në afërsi të Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF) në Fushë-Kosovë, ku janë parë pjesëtarë të shumtë të Policisë.
Personi i dyshuar raportohet se është arrestuar gjatë ndërhyrjes policore. Pos serbit, policia ka njoftuar se gjatë aksionit ka arrestuar dhe një person tjetër mashkull kosovar i cili ka qenë brenda objekti ku ka ndodhur rasti dhe ka penguar zyrtarët policorë.
Megjithatë, Policia në kumtesë vetëm tregon se i dyshuari nën posedimin e armës ka kërcënuar një qytetar, por pa treguar se për çfarë arme bëhët fjalë.
Njoftimi i plotë i PK:
Arrestohen dy persona të dyshuar
Prishtinë, 13 tetor 2026
Policia e Kosovës, me njësitë e saja speciale, njësitë e reagimit të shpejtë dhe me njësitë patrulluese, ka intervenuar në një rast në Fushë Kosovë, ku sipas informacioneve fillestare një person i dyshuar mashkull kosovar i nacionalitetit serb, nën posedimin e armës ka kërcënuar një qytetar.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, është arritur të identifikohet personi i dyshuar, i cili nuk iu ishte bindur urdhrave policorë për ndalim dhe dorëzim, i njejti ka hyrë brenda duke u mbyllur në shtëpinë/banesën e tij.
Policia e Kosovës, ka siguruar vendin duke vënë perimetrin e sigurisë rreth zonës së banimit të personit të dyshuar, me të cilin në forma të ndryshme ka komunikuar dhe ka kërkuar që të dorëzohet në formë të sigurt dhe pa pasoja, mirëpo i njejti ka rezistuar dhe nuk iu është bindur urdhrave zyrtar policorë.
Zyrtarët policorë, përfshirë ata të njësisë speciale intervenuese, njësisë speciale operative, njësive të rendit publik dhe njësisë K9 , për kohë të tëra, kanë vëzhguar dhe përcjellur veprimet e personit të dyshuar, duke e mbajtur sistuatën nën kontrollë.
Edhe përkundër thirrjeve të vazhdueshme të policisë për dorëzim të personit të dyshuar, i njejti nuk është dorëzuar, dhe më pas njësitë janë detyruar që me forcë, me mjete të forta, të hapin derën dhe të futen brenda në banesë.
Policia në mënyrë profesionale ka arritur ta arrestojnë personin e dyshuar që dyshohet se ka kryer kanosjen, si dhe një person tjetër mashkull kosovar i cili ka qenë brenda në shtëpi dhe ka penguar zyrtarët policorë.
Vlen të potencohet se në rast kanë marrë pjesë edhe institucione tjera, si njësiti i zjarrfiksëve, ambulancave etj, të cilat kanë bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës, përderisa ekzaminimi i vendit të ngjarjes është duke vazhduar nga njësit relevante policore.
Policia e Kosovës është profesionale dhe varësisht nga rrethanat dhe niveli i rrezikshmërisë angazhon njësitë e saja policore, për tu dalë në ndihmë qytetarëve dhe për të sjellur para organeve të drejtësisë personat e dyshuar.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe duartrokitjet e tyre ndaj policisë, pas përfundimit me sukses të këtij operacioni.
Të gjitha veprimet e mëtejme janë duke u ndërmarr në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Bashkangjitur keni një videosekuencë dhe foto të personit të arrestuar.