Një video nga Dubai, ku kandidati republikan për Senatin amerikan në Teksas, Kevin Paxton, shfaqet duke festuar Vitin e Ri mes fishekzjarrëve, ka shkaktuar polemika të shumta. Në pamje ai shihet së bashku me Tracy Duhon, me të cilën thuhet se ka një lidhje jashtëmartesore, si dhe me dy persona të tjerë, Anosh Ahmed dhe Sameer Suhail, të cilët janë akuzuar për mashtrim në Shtetet e Bashkuara dhe në atë kohë ndodheshin në arrati nga drejtësia amerikane.

Skandali, i zbuluar nga gazeta The Wall Street Journal, vjen në një moment të vështirë për republikanët, ndërsa përgatiten për zgjedhjet e mesit të mandatit. Sipas analizës së publikuar, polemikat që rrethojnë kandidatët e mbështetur nga Donald Trump po rrezikojnë të dobësojnë pozitat e partisë në disa shtete që tradicionalisht kanë qenë bastione republikane.

Përveç Teksasit, gara pritet të jetë më e fortë edhe në Alaska, Karolinën e Veriut, Ohajo, Kansas dhe Nebraska. Në lojë mund të përfshihet edhe Florida, shteti ku Trump ka vendosur rezidencën e tij pasi u largua nga Nju Jorku.

Reklamë

Vëmendja është përqendruar veçanërisht te Teksasi, ku demokratët nuk kanë fituar një garë për Senatin me rëndësi kombëtare prej 32 vjetësh. Kandidati demokrat James Talarico po kryeson me rreth dy pikë përpara rivalit të tij në disa sondazhe. Një fitore e tij do të përbënte një rezultat historik për demokratët dhe një goditje të fortë për republikanët.

Talarico mund të shndërrohet gjithashtu në një emër të rëndësishëm për garën e ardhshme presidenciale, pasi një fitore në Teksas do t’u jepte demokratëve një avantazh të madh në nivel kombëtar, veçanërisht nëse shteti do t’u bashkohej bastioneve të tyre si Nju Jorku dhe Kalifornia.

Për të penguar demokratët, Trump zgjodhi të mbështesë Kevin Paxton, në vend të senatorit aktual John Cornyn, duke vlerësuar lidhjet më të forta të Paxtonit me lëvizjen MAGA. Megjithatë, këshilltarët e presidentit e kishin paralajmëruar për problemet dhe akuzat që rëndonin mbi kandidatin, por Trump vendosi të mos i merrte parasysh këto paralajmërime.

Problemet e Paxtonit datojnë prej vitesh. Në fillim të karrierës së tij si avokat, ai u përball me një akuzë për vjedhjen e një stilolapsi Montblanc me vlerë rreth 1 mijë dollarë, të cilin më vonë e ktheu duke kërkuar falje. Më serioze janë akuzat për korrupsion dhe mashtrim, të cilat kanë dëmtuar imazhin e tij politik.

Në vitin 2023, Paxtoni u vu në procedurë shkarkimi për shpërdorim detyre, pas një nisme të ndërmarrë nga vetë republikanët në parlamentin e Teksasit. Ai arriti të shpëtonte nga shkarkimi pasi Senati i shtetit votoi kundër dënimit të tij.

Reklamë

Paxtoni humbi gjithashtu një proces gjyqësor të ngritur nga një sinjalizues, i cili pretendonte se ishte pushuar nga puna pasi kishte denoncuar veprime të dyshuara të paligjshme në favor të financuesit të tij, Nate Paul.

Përveç problemeve ligjore, kandidati republikan është përballur edhe me vështirësi në jetën personale. Ai ka tradhtuar bashkëshorten e tij, Angela Paxton, e cila ka qenë gjithashtu një nga bashkëpunëtoret e tij më të afërta në politikë. Çifti është në proces divorci.

Trump e ka mbështetur Paxtonin, ndër të tjera, për shkak të afërsisë së tij me lëvizjen MAGA dhe qëndrimeve politike që përputhen me ato të presidentit. Por skandalet e fundit mund të kthehen në një problem serioz për të dy, në një moment kur republikanët po përpiqen të ruajnë kontrollin dhe ndikimin e tyre në Kongresin amerikan.

 

Reklamë