Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se Kodi Civil do të rikthehet për shqyrtim në Kuvend, ndërsa ka bërë të ditur se në fillim të javës së ardhshme do të mblidhet grupi punues në Ministrinë e Drejtësisë për të diskutuar përmbajtjen e tij.
Këtë deklaratë Kurti e bëri gjatë seancës së sotme të Kuvendit, në përgjigje të deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, i cili kundërshtoi nismat e Qeverisë për Kodin Civil, Ligjin për fertilizimin e asistuar dhe Ligjin për gjendjen civile, duke pretenduar se disa prej dispozitave të tyre cenojnë vlerat e familjes tradicionale.
Kurti tha se Kosovës i nevojitet një reformë e qëndrueshme e së drejtës civile, e cila do të rregullojë çështjet që lidhen me pronën, kontratat, marrëdhëniet familjare dhe trashëgiminë.
“Qeveria planifikon të sjellë Kodin Civil në Kuvend, sepse Kosovës i nevojitet një reformë e qëndrueshme e së drejtës civile. Prona, kontratat, marrëdhëniet familjare dhe trashëgimia janë marrëdhëniet përmes të cilave qytetari ndërton jetën e vet si individ”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, Kodi Civil synon t’i harmonizojë këto fusha, duke i bërë më të qarta të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve.
Kryeministri foli edhe për nevojën e rregullimit ligjor të fertilizimit të asistuar, duke theksuar se personat që përballen me vështirësi për t’u bërë prindër meritojnë mirëkuptim dhe mbështetje nga institucionet.
“Dëshira për t’u bërë prind është një nga shprehjet më të thella të shpresës njerëzore, dëshira për të dhënë dashuri e për t’u kujdesur për një jetë tjetër. Për shumë njerëz, rruga drejt prindërimit shoqërohet me vështirësi që meritojnë mirëkuptim dhe një përgjigje të kujdesshme nga shteti”, tha Kurti.
Pas kësaj, deputeti Rrahmani tha se kundërshtimet e tij lidhen konkretisht me dispozitat për fertilizimin e asistuar dhe ndryshimin e gjinisë në dokumentet e gjendjes civile.
Ai kundërshtoi mundësinë që gratë të bëhen nëna pa partner mashkull përmes fertilizimit të asistuar, si dhe dispozitat që, sipas tij, mundësojnë ndryshimin e gjinisë në dokumentet zyrtare.
Në kundërpërgjigje, Kurti i kërkoi Rrahmanit që ta shqyrtojë të gjithë Kodin Civil dhe të mos përqendrohet vetëm në dy nene.
“Kodi Civil, nëse nuk e kam gabim, i ka 997 faqe, 1 mijë e 630 nene. Ka mundësi që ndihmon nëse i lexoni dhe i shqyrtoni. Përqendrimi në vetëm dy nene është rrezik t’ju bëhet obsesion”, tha Kurti.
Ai përsëriti se grupi punues do të mblidhet në Ministrinë e Drejtësisë në fillim të javës së ardhshme, ku do të diskutohen çështjet e ngritura, para se Kodi Civil të rikthehet për shqyrtim në Kuvend.