Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar të enjten një hulumtim parlamentar me gjashtë propozime për amendamentimin e projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Raporti, i titulluar “Ndërhyrjet e nevojshme para miratimit përfundimtar të Ligjit për Byronë”, synon të adresojë çështjet që, sipas IKD-së, kërkojnë përmirësim para miratimit përfundimtar të projektligjit në Kuvend.
Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala, ka thënë se dokumenti është përgatitur për fazën ndërmjet dy leximeve parlamentare dhe përmban propozime konkrete për ndryshime ligjore.
Një nga propozimet kryesore të IKD-së është që drejtori i përgjithshëm i Byrosë dhe anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës që zgjidhen nga Kuvendi të marrin së paku 61 vota, me qëllim të forcimit të pavarësisë së këtij institucioni.
IKD-ja propozon gjithashtu themelimin e një Divizioni për Konfiskim Civil edhe në Gjykatën e Apelit, në mënyrë që specializimi gjyqësor të sigurohet në të dyja shkallët e gjykimit.
Një tjetër amendament parasheh përcaktimin e një pragu të matshëm për zgjerimin e verifikimit të pasurisë pas përfundimit të funksionit publik. Sipas propozimit, verifikimi do të mund të zgjerohej deri në pesë vjet pas përfundimit të funksionit, në rastet kur mospërputhja ndërmjet vlerës së pasurisë së fituar dhe të hyrave të ligjshme gjatë së njëjtës periudhë tejkalon 25 mijë euro.
Raporti propozon edhe që Gjykata ta vlerësojë paraprakisht bazueshmërinë e propozimit për konfiskim, ndërsa barra e provës t’i kalojë palës vetëm pasi Gjykata ta konfirmojë propozimin me vendim të formës së prerë. Po ashtu, parashihet që ankesa kundër vendimit të konfirmimit të ketë efekt pezullues.
Në mesin e propozimeve është edhe përcaktimi i rregullave për kompensimin e dëmeve në rastet kur procedura përfundon pa konfiskim të pasurisë. Kjo përfshin dëmet nga kufizimi i përdorimit ose disponimit me pasurinë, humbjen e vlerës së saj dhe shpenzimet e drejtpërdrejta të procedurës.
Propozimi i gjashtë synon t’ua mundësojë palëve të treta kundërshtimin në Gjykatë të vendimeve për zgjerimin e verifikimit të pasurisë.
IKD-ja vlerëson se krijimi i një mekanizmi për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është qëllim legjitim, por thekson se kuadri ligjor duhet të jetë i qartë dhe i parashikueshëm, si dhe të përmbajë garanci të mjaftueshme procedurale.